Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, njoftuan të mërkurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në kryeqytetin serb, Beograd.
Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor 2023. Me shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.
Paraprakisht, në Parlamentin serb kryeparlamentari, Vladimir Orliq, njoftoi se do të mbahen zgjedhjet për asambletë lokale në 65 qytete dhe komuna.
Gjatë një adresimi të shkurtër, Vuçiq u uroi qytetarëve “zgjedhje të mbara”. Ai tha se “ne po jetojmë në kohë të vështira për gjithë botën, në kohën e ndryshimeve globale dhe në të cilën është e nevojshme që të gjithë të jenë të bashkuar për të luftuar në ruajtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore”.
“Fushata është një mundësi për të shpalosur ide të ndryshme në mënyrë të civilizuar, për të prezantuar programe, politika që duhet të zbatohen, por të cilat kurrë nuk duhet të kërcënojnë interesat vitale shtetërore dhe kombëtare”, tha Vuçiq.
Ai u uroi të gjithëve “rezultate të mira në zgjedhje” dhe tha se dëshiron që fushata zgjedhore dhe zgjedhjet të mbahen në mënyrë demokratike.
Kryeparlamentari Orliq u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që sipas tij, Serbia si shoqëri të tregojë “kapacitetin e saj të plotë demokratik”.
Më 30 tetor, Qeveria e Serbisë i propozoi Vuçiqit që të shpërndante Parlamentin.
Në njoftimin e Qeverisë serbe u tha se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në rrethanat ekzistuese do të sigurojë, veç tjerash, “një nivel të lartë të demokracisë dhe uljen e tensioneve midis mendimeve të ndryshme në shoqëri”.
Me shpalljen e zgjedhjeve, fushata parazgjedhore zyrtarisht ka nisur në Serbi. Fushata do të zgjasë deri mesnatën e 14 dhjetorit, kur do të nisë heshtja zgjedhore.