Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaLajmePolicia speciale rrit praninë në veri pas sulmit në Banjskë

Policia speciale rrit praninë në veri pas sulmit në Banjskë

Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar për të zvogëluar praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe.

Kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.

Situata atje u acarua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, nën përcjelljen e policisë speciale, u vendosën në objektet komunale.

Veprimi nxiti reagimin, herë-herë edhe të dhunshëm, të popullatës lokale, që kundërshton si kryetarët shqiptarë, ashtu edhe praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës.

Pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës u dakordua ta zvogëlojë përgjysmë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.

Por, sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë një pjesëtar të saj më 24 shtator, u dha kah tjetër zhvillimeve.

Rritet prania policore

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.

“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, tha Hoxha.

Ai nuk ofroi detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por tha se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për praninë e forcave speciale në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

I kontaktuar nga REL-i, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, nuk deshi të flasë për këtë çështje. Ai tha shkurtimisht se do ta ftojë për raportim në komision ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Duke folur në ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë edhe në katër komunat në veri [Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq], sikurse gjithandej në territorin e Republikës”.

“Ajo çfarë ne kemi trashëguar është një letër e ish-kryeministrit [Hashim] Thaçi lidhur me praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës [në veri], që duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in. Ne e kemi respektuar dhe vazhdojmë ta respektojmë atë zotim të njëanshëm të Thaçit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s [Anders Fogh] Rasmussen”, tha Kurti.

Pse nuk e duan njësinë speciale në veri?

Sërgjan Simonoviq, nga Qendra Humane në Mitrovicën e Veriut – organizatë kjo që monitoron situatën e sigurisë në veri, thotë për Radion Evropa e Lirë se “armiqësia” e popullatës lokale ndaj policisë së Kosovës, në përgjithësi, vazhdon që nga paslufta, më 1999.

“Pasardhësja ligjore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në valën e parë, ishte Policia e Kosovës, e më vonë Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Tradicionalisht, Policia e Kosovës është vazhdimësi e UÇK-së dhe, në këtë kontekst, serbët e shohin gjithmonë si armike”, thotë Simonoviq.

Sipas tij, kundërshtimet ndaj policisë speciale janë rritur në dy vjetët e fundit, kur kjo polici, “nën direktivat e politikanëve aktualë”, ka filluar “një fushatë tmerrësisht të ashpër kundër serbëve”, e cila ka kulmuar “me dezertimin e policëve serbë” nga forca e policisë së Kosovës.

Simonoviq i referohet një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjisrimin e makinave me targa ilegale serbe, i cili ka rritur tensionet në veri dhe ka çuar në largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Në veri të Kosovës jetojnë rreth 50.000 serbë.

Që nga paslufta, shumica e tyre nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele që funksionojnë atje nën dirigjimin e Serbisë.

Në zonë ka pasur shpesh tensione që kanë kulmuar në dhunë dhe policia e Kosovës ka intervenuar për rivendosjen e rendit.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rajon duhet të ketë patrullime më të mëdha të policisë, në mënyrë që të shmangen incidentet si ato të 24 shtatorit.

“Ajo çka nuk duhet të ndodhë dhe nuk guxon të ndodhë është që Policia e Kosovës të kufizohet që të veprojë në veri”, thotë Qalaj.

Për sigurinë e kufirit të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare policia e Kosovës.

Megjithatë, me një vendim të komandantit të KFOR-it më 2014, policia e Kosovës mund të patrullojë deri në një kilometër afër vijës kufitare me Serbinë.

Pas trazirave të majit, KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë për disa qindra ushtarë.

Ky mision e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe ka thënë se është i gatshëm të intervenojë nëse është e nevojshme.

Në reagimet e tij, Bashkimi Evropian ka dënuar po ashtu sulmin në Banjskë dhe ka thënë se “të gjitha faktet për të duhet të vërtetohen”. Për praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës në veri nuk është deklaruar.

Kosova, ndërkaq, ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia ka drejtuar gishtin kah serbët e Kosovës.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit