Me 7 mijë euro gjobë është dënuar Radiotelevizioni i Kosovës nga Inspektorati i Punës.
Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, RTK është dënuar për shkelje të cilat lidhen me Sigurinë dhe Shëndetin në punë.
Vendimi është i shkallës së dytë për shkak që RTK kishte bërë ankesë ndaj vendimit të parë të IP-së.
Inspektorati i Punës ka konstatuar se RTK nuk kishte kryer vlerësimin e rrezikshmërisë së vendeve të punës; nuk kishte trajnuar punonjës nga fusha e sigurisë dhe shëndetit; nuk ishte e pajisur me kutinë e ndihmës së parë; nuk kishte siguruar kontrollet mjekësore të punëtorëve si dhe nuk kishte ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë siç parashihet me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në punë.
Në vendimin e IP-së është konstatuar se edhe rregullorja për avancime e RTK-së është në kundërshtim me Ligjin e Punës.
RTK obligohet që brenda tetë ditësh të paguaj gjobën prej 7 mijë euro.
Në vendim thuhet se RTK kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të parë të IP-së në lidhje me inspektimet e kryera.
“RTK-së i ishte dorëzuar raporti zyrtar me 09.11.2022 dhe ka thënë se “njëkohësisht marrim përsipër t`i adresojmë parregullsitë e konstatuara dhe t`i zbatojmë rekomandimet e nxjerra në këtë raport”- thuhet në vendim.
Por sipas IP-së RTK në janarin e 2023-tës nuk kishte ofruar dëshmi se kishte adresuar gjetjet e raportit.
“Në studion e RTK-së, gjatë inspektimit është konstatuar se asnjëra nga studiot nuk ka dalje emergjente, nuk ka shenja të daljes, kabllot e kamerave janë në patos (të pa shënjuara”… po ashtu rryma nuk është e mbyllur… Në objektin ku gjendet Radio Kosova, gjatë inspektimit është konstatuar se në muret e objektit janë të vendosura planet e evakuimit, kutitë e ndihmës së parë janë të vendosura në objekt, mirëpo materiali është me afat të skaduar”- ka evidentuar IP.
Sipas kërkesës nga RTK, Inspektorati i Punës kishte trajtuar ligjshmërinë e avancimeve dhe sistemit të stafit, mënyrën e rekrutimit të stafit, dyfishimin e pozitave, trajtimin e pozitave të punës që nuk janë paraparë në organogram dhe rregullore, si dhe kontratat e punës, çështje këto të ngritura edhe në raportin e Zyrës Kombëtarë të Auditimit.
“Pas shqyrtimit të akteve të brendshme të organogramit dhe katalogut të RTK-së është konstatuar se janë të parapara pozitat e punës, përshkrimi i vendeve të punës dhe kriteret… Mirëpo pas shqyrtimit të akteve të njëjta është konstatuar se punëdhënësi nuk e ka të përcaktuar numrin e punëtorëve për pozitat e parapara në organogram dhe katalog të punës”- thuhet ndër të tjera në vendim.
Në lidhje me kontrata e punës me afat të pacaktuar IP ka konstatuar se forma me shkrim është në harmoni me Ligjin e Punës.
Në lidhje me avancime IP ka theksuar se në RTK për periudhën 2019-2022 janë avancuar 127 punonjës, avancime këto janë të bazuara në rregulloren për Avancimin e të punësuarave në RTK.
Kërkesë tjetër e RTK-së për inspektim nga Inspektorati ka qenë “mos evidentimi i stafit të punës”, pagesat e parregullta të shujtës, pushimi i lehonisë, pushimi pa pagesë.
Vendimin e plotë të Inspektoratit të Punës mund ta lexoni Këtu.
KALLXO.com më 1 shtator ka publikuar hulumtimin ekskluziv mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionin Publik.
Hulumtimi ka nxitur reagime të shumta të organizatave për barazi gjinore, deputetëve dhe punonjëseve të RTK-së.
Në Radiotelevizionin e Kosovës, 361 punëtorë kanë nënshkruar një peticion përmes të cilit po kërkohet dorëheqja e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
Kjo pas deklaratës së tij në njërën nga mbledhjen e Bordit, se ai merr informacione se ka punëtorë që vijnë në pizhame e nuk respektojnë orarin e punës.
Në peticion thuhet se kërkojnë shkarkimin e Boletinit edhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com “Televizioni i Burrave të Kosovës”.