Thursday, December 19, 2024
spot_img
BallinaTechnologyOperacion i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me FBI dhe SPAK, tre...

Operacion i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me FBI dhe SPAK, tre të arrestuar për përfitime në tregun kriminal online

Në një operacion të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI, janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfitime të kundërligjshme përmes administrimit të tregut kriminal online “BlackDB”

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast janë zhvilluar kontrolle në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan.

“Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”.

“Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikanë) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patentë shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online”.

Tutje thuhet se tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar.

“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online ‘BlackDB’”.

Policia thotë se ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti.

“Gjatë këtij operacioni policor, janë arrestuar 3 (tre) persona të dyshuar të cilët janë gjetur në lokacionet përkatëse. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar kriptovaluta; kompjuterë llaptop; shtëpiza kompjuteri;  telefona mobilë dhe pajisje memorizuese”.

Me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit ndalohen për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së, thuhet në njoftim.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit