Brukseli njoftoi më 14 nëntor se do të shpenzojë 300 milionë euro për t’iu ndihmuar nëntë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, automjeteve të blinduara dhe municioneve. Besohet se disa prej armëve do t’i jepen drejtpërdrejt Ukrainës, përderisa furnizimi me të tjera armë do t’i lirojë rezervat e vjetra të vendeve që ato t’i dërgohen Kievit. Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, ka thënë se “kjo është hera e parë që ne [po përdorim] buxhetin e BE-së për t’i mbështetur shtetet anëtare në blerjen e përbashkët të produkteve të mbrojtjes”, duke shtuar se “projektet e caktuara do të rrisin, po ashtu, mbështetjen tonë për Ukrainën, me pajisje shtesë për mbrojtje”.
1 – Gjashtëdhjetë milionë euro do të shpenzohen për blerjen e automjeteve të blinduara për transferimin e ushtarëve, Patria 6×6. Autoblindat finlandeze mund të mbajnë deri në 12 persona, dhe mund të konfigurohen për “notim” nëpër ujëra të qeta.
2 – Edhe 60 milionë euro të tjerë do të shpenzohen për blerjen e sistemeve kundërajrore Mistral. Arma franceze, e cila tashmë përdoret në Ukrainë, është më e rëndë sesa ekuivalentët e saj amerikanë dhe rusë që lëshohen nga krahu, por vendosja në trekëmbësh i mundëson periudha të vazhdueshme gatishmërie. Një sistem i tillë mund të përdoret nga ekipet e artiljerëve që operojnë në periferitë e kryeqyteteve ukrainase, të cilat kanë për detyrë të rrëzojnë dronët rusë në ardhje.
3 – Rreth 120 milionë euro do të shkojnë për predha artilerie 155-milimetërshe. Kalibri është standard i NATO-s, i përdorur në qindra obusë perëndimorë që i janë dhënë Ukrainës. Mes një mungese akute prodhimi, secila predhë 155 mm sot kushton rreth 8.400 dollarë.
4 – Gjashtëdhjetë milionë euro do të shpenzohen për sistemet e mbrojtjes raketore IRIS-T SLM. Arma gjermane mund të godasë objektiva ajrore nga një largësi prej 40 kilometrash. Sistemi i mbrojtjes ajrore ka një radar të aftë për të gjurmuar qindra objektiva individuale njëkohësisht. Ai, po ashtu, mund të vërejë objektiva në mënyrë optike, duke e bërë të padukshëm ndaj paralajmëruesve për radarë. Gjermania është zotuar se do t’ia mundësojë Ukrainës nëntë sisteme IRIS-T deri më 2026.
5 – Një fotografi e sistemeve koreano-veriore të artilerisë me rreze të gjatë veprimi, që thuhet se u realizua gjatë transportimit të tyre nëpër Rusi. Zotimi prej 300 milionë eurosh nga Brukseli erdhi në një kohë kritike për Kievin, mes dëshmive në rritje se trupat e Koresë së Veriut po luftojnë përkrah forcave ruse në Ukrainë. Kjo fotografi, e publikuar për herë të parë më herët këtë muaj, tregon, po ashtu, se Peniani po dërgon armatim për t’i ndihmuar Rusisë me pushtimin tokësor të Ukrainës