Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaLajmeKoalicioni VLEN nuk synon drejtimin e Llotarisë Shtetërore të Maqedonisë e cila...

Koalicioni VLEN nuk synon drejtimin e Llotarisë Shtetërore të Maqedonisë e cila aktualisht drejtohet nga kuadri i BDI-së.

Siç bëhet e ditur, krerët e këtij koalicioni në mënyrë të qartë dhe të prerë janë distancuar nga Lotaria e Maqedonisë.

Jozyrtarisht mësohet që VLEN në vend të Lotarisë ka vendosur të drejtojë institucione tjera, që sipas tyre, rinisë dhe qytetarëve shqiptarë ju mundësojnë grante dhe projekte për punësim.
Ky veprim i VLEN-it nuk zgjidh problemin e kumarit në Maqedoninë e Veriut, por është një hap për t’u përshëndetur, pa dyshim. Sepse vitet e fundit politika shqiptare në pushtet ishte aq e përkushtuar në zhvillimin e biznesit të kumarit, saqë kishte lënë anash shumë çështje të rëndësishme për ne, siç ishin infrastruktura, shkollat, çerdhet, ujësjellësit dhe institucione tjera.
Nga ana tjetër, kumari afrohej dal ngadal në çdo pore të jetës sonë, duke “hapur krahët” gjithandej dhe duke marë në “përqafim” si më të rinjtë, poashtu edhe më të moshuarit. E gjithë kjo vetëm se shtonte varfërinë në viset edhe ashtu të varfëra, siç janë viset shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Për shembull, në një panel diskutim të organizuar në fillim të këtij viti nga Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike-IDEA u prezantuan shifra alarmante për një vend të vogël dhe të varfër si Maqedonia, sa i përket numrit dhe të ardhurave të kompanive që organizojnë lojëra të fatit. Të dhënat tregojnë që në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë përafërsisht 1.416 pika në të cilën qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 18 pika për çdo komunë, duke përjashtuar lojërat e fatit online. Ky numër tregon për prezencë jashtëzakonisht të madhe të pikave ku mund të luhen lojëra të fatit, njëkohësisht edhe ekspozim të vazhdueshëm dhe qasje shumë të lehtë për secilin qytetar në lojëra të fatit.

Sa i përket të hyrave, qarkullimi total i 56 kompanive nga ky sektor në vitin 2021 kanë qenë 556 milionë euro, kurse në vitin 2022 u rritën në 691 milionë euro. Kjo ka qenë një rritje prej 21 për qind, rritje që ia ka lakmi çdo sektor tjetër i biznesit në vend.

Për të sqaruar më qartë, mesatarisht, për çdo ditë gjatë vitit 2022, 56 kompanitë e lojërave të fatit kanë realizuar qarkullim mesatar nga 1.7 milion euro. Këto të hyra janë kryesisht të hyra të cilat janë realizuar përmes lojërave të fatit, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që lojërat e fatit të jenë përdorur si mekanizëm i shpërlarjes së parave.

Dyshimet për “Larje-shpërlarje” bazohen në faktin se edhe përkundër qarkullimit marramendës, profitete këtyre kompanve janë jashtëzakonisht të ulëta . Pra, 3 kompanitë me të hyra më të larta, Pro-Beting DOO (146,130,304 euro), Sport Life Treid DOO (82,286,864 euro) dhe Kazinos Austria DOO (81,326,025 euro), kanë paraqitur që kanë realizuar më pak se 1% profit nga të hyrat e përgjithshme. Kjo shkallë e profitit nuk është e përafërt as me Lotarinë shtetërore por as me profitin e kompanive të ngjashme në Europë. Prandaj shumë ekspertë me të drejtë kanë ngritur dyshimet për mundësinë e evazionit fiskal por edhe të shpëlarjesh së parave, dhe njëkohësisht rekomandojnë kontrolle të shtuara nga institucionet shtetërore ndaj këtyre kompanive.

Në fund të mandatit të përbërjes paraprake parlamentare u miratua propozim ndryshimi për Ligjin për Lojërat e fatit, që me vonesë sollën disa ndryshime pozitive. Kjo ka të bëjë në në pjesën e kufizimit të numrit pikave të cilat mund të hapen me një licencë, megjithatë ekspertët konsiderojnë se këto ndryshime nuk janë të mjaftueshme. As distanca e paraparë prej 500 metrash nuk do të ketë ndikim të madh meqë marketingu do të vazhdojë t’i ekspozojë të rinjtë ndaj lojërave të fatit si dhe lojërat e fatit online do të japin qasje edhe më të madhe sesa të qenurit afër shkollave.

Po ashtu, liberalizimi i tregut konkurrenca e shtuar në mes të kompanive të lojërave të fatit do ta thellojë edhe më shumë problemin meqë kompanitë do të garojnë me njëra tjetrën për më shumë konsumatorë, pra që të krijojnë sa më shumë njerëz të varur nga bixhozi. Prandaj, instituti IDEA përkrah versione më strikte, deri në masën e mbylljes totale të kompanive të lojërave të fatit sipas modelit të Kosovës.

Panelistët një zëri në mënyrë të pakoordinuar paraprakisht përfunduan në konstatime të ngjashme për sa i përket pasojave që vijnë nga lojërat e fatit. Prishja e institucionit më të rëndësishëm familjes, divorcet, dhuna brutale në familje, thellimi në borxhe, humbja e pronave, dhe kalimi në varfëri ekstreme.

Kumari është një plagë mjaftë serioze në trupin e shoqërisë sonë. Sociologu Ali Pajaziti, me një rast, madje “sëmundjen e kumarit” e ka barazuar me gjenocid.

“Kazinot dhe bastoret unë i quaj lokale gjenocidale dhe klientët e tyre një ushtri e humbur. Institucioni më i rëndësishëm i shoqërisë është familje, kazinotë e bastoret në mënyrë të drejtpërdrejt e dëmtojnë e sulmojnë deri në shkatërrim familjet tona të cilat janë në prag të varfërisë dhe luftojnë për të mbijetuar. Bota akademike, shoqëria, organizatat joqeveritare një zëri duhet të jemi të unifikuar në ndaljen e këtij “gjenocidi” që po i shkaktohet familjeve tona para syve tanë”, tha Pajazitit.

Xhemal Abdiu, kryetar i Lëvizjes Anti-Bixhoz, në çdo rast ka theksuar faktin se as në vendet më të zhvilluara në botë nuk ka aq shumë kazino e bastore si në vendin tonë.

“Ne si Lëvizje nuk pajtohemi dhe nuk jemi të kënaqur me propozim ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit, sepse aty thuhet largimi i kazinove 500 metra nga shkollat. Ndërkaq, Lëvizja jonë ka kërkesë të vetme dhe të padiskutueshme mbylljen totale të kazinove. Vendet më të zhvilluara në botë me ekonomi dhe standard shumë të lartë posedojnë numër shumë më të vogël të kazinove, te ne në secilin kënd nga një kazino. Kazinot na kanë ardhur te pragu shtëpisë, duhet të mobilizohemi që të largojmë këtë të keqe të përgjithshme”, përfundoi Abdiu.
Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre./Zhurnal

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit