I dyshuari i dytë i përfshirë në rastin me gjykatësin Suprem akoma nuk ka dalë para gjykatësit hetues, shkruan Alsat.
Ixhet Memeti nuk dihet se kur do të deklarohet për versionin e tij të parë mbi dyshimet që i ngarkohen.
Prokuroria Publike ndaj tij ka kërkuar masa kujdesi-obligim me paraqitje, por gjykata për shkak se nuk e ka dëgjuar akoma Memetin, nuk ka sjell vendim.
Seanca ndaj tij mund të zhvillohet të enjten.
Masa ndaj Memetit nuk ka as nga institucioni ku ai ka pozitën e zëvendës kryetarit.
Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik Dushica Dimitrievska tha se po shqyrtohen të gjitha mundësitë për hapat e mëtejmë ligjor dhe ndjekin zhvillimin e procesit gjyqësor.
Ajo tha se në rastin konkret bëhet fjalë për anëtar të zgjedhur nga Kuvendi.
Memeti përfundoi si i dyshuari i dytë në rastin për marrje të shpërblimit në dëm të ligjit bashkë me ish gjykatësin suprem, Naqe Georgiev.
Ky i fundit dyshohet për marrje të shpërblimit në dëm të ligjit nga djali i ish kryetarit të Novo Sellës, Boro Stojçev për të cilin kishin garantuar lehtësim të dënimit nëse ky i fundit pranon marrëveshje me prokurorinë për veprën penale që i ngarkohet “trafikim me lëndë narkotike”.
Sipas elementeve dhe provave mbi të cilat bazohen dyshimet e Prokurorisë së krimit të organizuar, Georgiev dhe Memeti kanë kërkuar 10.000 euro shpërblim për ndikimin e tyre.
Në momentin kur është arrestuar Georgiev, Memeti nuk ka qenë prezent, por kallëzimi i krimit të organizuar thotë se ai ka zhvilluar biseda telefonike dhe video thirrje me Georgievin dhe djalin e Stojçevit për të garantuar në këtë mënyrë se autoriteti i tij do të hyjë në funksion për marrëveshjen me prokurorinë dhe shqiptimin e dënimit më të ulët se sa parashikonte gjykata.
Memeti njëherësh paraqet profilin më të lartë të një juristi në Maqedoni të Veriut.
Ai ka qenë Ministër i Drejtësisë, Gjykatës Kushtetues, Avokat i Popullit dhe së fundi anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Biografia e tij juridike flet për përfaqësim në çdo instancë, ekzekutive, ligjvënës, por edhe si njeriu i parë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
1995 Sekretar i Qeverisë
2001 Ministër i Drejtësisë
2003 Gjykatës Kushtetues / rizgjidhet Ministër i Drejtësisë
2004 Avokat i Popullit
2012 Rizgjidhet Avokat i Popullit
2020 Anëtar/ zëvendëskryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik