Ish-minstri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është emëruar këshilltar i jashtëm i kryeministrit Kurti, në kuadër të Grupit Ballkanik për Politika.
Për lajmi.net, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti e ka konfirmuar se Mehaj është bërë këshilltar i Kurtit të Grupit Ballkanik për Politika, shkruan lajmi.net.
“Po është këshilltar i jashtëm si shumë të tjerë që kemi për institucione”- tha Rashati.
Vitin e kaluar ish-ministri Mehaj dha dorëheqje nga pozita Ministër i Mbrojtjes për “arsye familjare”, ndërsa Mehajn e zëvendësoi Ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Para disa ditëve ish-ministri Mehaj mori “Medaljen për Shërbim të Shquar” nga ministri i Mbrojtjes Maqedonci.
“Jashtëzakonisht i nderuar që në përvjetorin e ditëve më të lavdishme të historisë kombëtare, “Epopesë së UÇK-së”, të pranoj “Medaljen për Shërbim të Shquar” nga ministri i Mbrojtjes Maqedonci. Në shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe fuqizimin e Ushtrisë së shtetit tonë.
Kjo medalje, më bën të kujtoj me krenari, zbarkimin e parë historik, në misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar të ushtarëve të FSK-së, përkrah Ushtrisë Amerikane. Bashkëzbarkimin e parë përkrah ushtrisë Britanike, ndihmën për Turqinë me rastin e termetit.
Krijimin me ligje forcave speciale te FSK-së , futjen e edukatës së sigurisë për rininë tonë.
Rritjen e jashtëzakonshme të buxhetit të FSK-së deri ne 2% të GDP-së, avancimin e politikave të mbrojtjes si dhe kornizës ligjore për mbrojtje dhe siguri, blerjet ushtarake ,marrëveshjet shtet me shtet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, përmes fuqizimit të aleancave dhe partneritetit me shtetet e NATO-s.
Gjatë punës sime së bashku me gjithë qeverinë e RKS-së, ministrinë, shtabin e FSK-së dhe te gjithë kabinetin ku kam shërbyer si Ministër i Mbrojtjes, I falenderoj per punën ekipore dhe sakrificën e tyre.
Kjo medalje më jep edhe një detyrë më shumë, për t’i shërbyer atdheut dhe për të përmbushur me zellin dhe dinjitetin më të lartë amanetin e Komandatit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënë, për lirinë që ne e gëzojmë sot.”- kishte shkruar Mehaj.