Monday, November 25, 2024
spot_img
BallinaKurioziteteInstituti Arben Xhaferi: Bujar Osmani ka shkelur ligjin shtatë herë radhazi brenda...

Instituti Arben Xhaferi: Bujar Osmani ka shkelur ligjin shtatë herë radhazi brenda një viti duke i mbajtur të fshehura shpenzimet e tij si Ministër i jashtëm

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), që drejtohet nga Bujar Osmani, ka shkelur Ligjin për qasje të lirë në informacione me karakter publik, pasi nuk u është përgjigjur kërkesave të njëpasnjëshme të Institutit për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi, lidhur me shpenzimet zyrtare të ministrit.

IPP Arbën Xhaferi, që ndër tjera ka për mision rritjen e transparencës në qeverisjen e vendit, duke u bazuar në nenin 4 dhe nenin 12 të Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut numri 101/2019), më 25 mars 2023 për herë të parë ka dërguar kërkesë për informacion me karakter publik në MPJ, duke kërkuar shpenzimet e ministrit Osmani. IPP Arbën Xhaferi ka kërkuar, për secilin udhëtim zyrtar nga data 1 janar 2022 deri më datë 1 dhjetor 2023, koston për biletat e avionit, transferin nga dhe drejt aeroportit, hotelin, mëditjet, ushqimin dhe reprezentacionin, telefonin si dhe shpenzimet tjera të udhëtimit.

Në vend të përgjigjes, IPP Arbën Xhaferi ka pranuar kërkese nga MPJ-ja për tërheqje të ankesës së dorëzuar pranë Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik. Në frymë bashkëpunuese, ankesa është tërhequr por heshtja administrative ka vazhduar.

Përgjatë një viti të tërë, IPP Arbën Xhaferi ka dërguar hiç me pak se shtatë herë kërkesën e njëjtë, duke mos marrë asnjëherë përgjigje nga ana e MPJ-së, edhe atë si vijon:

Data: Përgjigja:

25.03.2023 HESHTJE ADMINISTRATIVE

26.05.2023 Heshtje administrative

22.06.2023 Heshtje administrative

05.07.2023 Heshtje administrative

13.09.2023 Heshtje administrative

16.10.2023 Heshtje administrative

12.12.2023 Heshtje administrative

Duke marrë paraysh se MPJ-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve lidhur me qasjen në dokumentet publike në përputhje me kërkesën e parashtruar, si një e drejtë e garantuar me akte vendore dhe me instrumente ndërkombëtare, IPP Arbën Xhaferi ka dorëzuar ankesë të re pranë Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik dhe ende është në pritje të vendimit.

Ligji për qasje të lirë në informacione me karakter publik parasheh gjobë në shumë prej 250 eurosh për poseduesin e informatave nëse në afatin e paraparë, në mënyrë të pabazuar nuk mundëson qasje në informata me karakter publik.

Bujar Osmani, tani edhe si kandidat për President të vendit, vazhdimisht është thirrur në transparencë dhe modesti, duke deklaruar madje se nëse do mbetej pa rrogë qoftë edhe një muaj, do të detyrohej të mirrte borxh për të mbijetuar.

Andaj, e pyesim publikisht Bujar Osmanin:

i) Ku ngeli transparenca kur shtatë herë radhazi shkelet ligji duke rrezikuar edhe gjoba për institucionin për të fshehur shpenzimet e tij ministrore?

ii) Mos vallë këto shkelje janë bërë për faktin se Bujar Osmani dëshiron të mbajë largy syve të publikut shijet e tij luksoze për udhëtime me aeroplan privat, hotele me pesë yje ku qëndrojnë krerët e shteteve të pasura si SHBA-të, Franca dhe Gjermania, drekat dhe darkat në restoranet më me famë të kryeqyteteve botërore e shumë shpenzime të tjera skandaloze për një vend të varfër si i joni?

iii)                 A është heshtja administrative pranim i fajësisë dhe konfirmim i dyshimeve ekzistuese të qytetarëve për jetën luksoze të zyrtarëve shtetëror?

Qytetarët nuk kanë nevojë të ushqehen me broçkulla që ministri Osmani mezi ia mbërrin muaji muajin apo me fotografi me sanduiç nga aeroporti i Vienës. Ata kanë nevojë që të shohin saktë dhe drejtë shpenzimet e parasë publike që ka bërë ministri në ushtrimin e funksionit zyrtar.

Ministri Osmani që luan rolin e politikanit të sinqertë, të ndershëm e të përgjegjshëm, duhet të jetë i vetëdijshëm për priviligjet e tij. Me pagën e tij prej rreth 3.000 eurosh, nuk mbijetohet por jetohet, madje shumë dinjitetshëm. Është fyese për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi që jetojnë me paga mjeruese të dëgjojnë vajtimet e Bujar Osmanit se mezi po ia dilka muajin. Fyerjes i shtohet edhe sharja kur ministri Osmani mban sekret shpenzimet e tij zyrtare, duke vërtetuar kështu proverbën popullore “pagë e vogël, fitim i madh”.

Ne shprehim indinjatën tonë të thellë për shkeljet e njëpasnjëshmë të ligjit nga ana e MPJ-së dhe i bëjmë thirrje që të dhënat që i kërkojmë të publikohen sa më parë. Fshehja e tyre, përpos që është shkelje e ligjit, shton edhe më tepër dyshimet për populizëm dhe mashtrim nga ministri jotransparent Osmani. Ftojmë çdo shoqatë e çdo qytetar të vendit që të bënjë kërkesë të njëjtë në MPJ meqë ministri Osmani tani synon pozitën e të parit të shtetit ku besueshmëria, intergriteti dhe transparenca janë kriter vendimtar.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit