Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, presidenti shqiptar, Bajram Begaj është shprehur se kjo është një ndër datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Begaj u shpreh mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët siç u shpreh ai, mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë.Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin”.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi”, u shpreh ai.
Begaj tha se Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
“Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje”.
“Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, është shprehur tutje ai.