Sunday, November 24, 2024
spot_img
BallinaLajmeZgjedhje të dyfishta, kombinime të shumëfishta për koalicione! Ja çka thonë informacionet...

Zgjedhje të dyfishta, kombinime të shumëfishta për koalicione! Ja çka thonë informacionet e agjencisë Zhurnal!

BDI do të shkojë në koalicion parazgjedhor me LSDM-në vetëm në rast se nga anketat partiake bindet se mund të sigurojnë 61 deputetë. Në disa variante kjo shifër mund të arrihet, por vetëm në bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët. Nëse edhe ky koalicion nuk i bind për arritje te shifra prej 61 deputetë ve, atëherë BDI do të insistojë më shumë për koalicion pa LSDM-në, por vetëm me ASH-në. Zyrtarisht, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka konfirmuar se të gjitha opsionet janë në lojë. Nëse nuk arrihet marrëveshje as me ASH-në, BDI mund të krijojë koalicion me PDE-në e Arjanit Hoxhës dhe me Lëvizja Populli të Skender Rexhepi-Zejdit. Por në BDI nuk e përjashtojnë mundësinë edhe për shkuarje vetë në zgjedhje, sepse brenda partisë ka rryma që vlerësojnë se nuk ia vlen partive tjera t’u jepen vende të garantuara deputetësh, sepse nuk mund të sigurojnë vota të mjaftueshme për të siguruar ato mandate, shkruan Zhurnal.mk.

LSDM shpresat te koalicioni me BDI dhe ASH, disa partnerë mund t’i ikin te VMRO-ja!

Në LSDM të gjitha shpresat i kanë tek koalicioni me BDI-në dhe ASH-në, koalicion që selia në Bihaqka veçmë e ka pagëzuar me emrin “Fronti Evropian”. Në partinë e Kovaçevskit janë të bindur se nëse arrijnë të formojnë koalicion të atillë, do të sigurojnë edhe një mandat qeveritar në katër vitet e fundit. Në VMRO-DPMNE thonë se situata parazgjedhore për ta është e qartë-do të shkojnë në koalicion me partitë më të vogla me të cilat janë bashkë prej më herët, duke lënë të hapur mundësinë për bashkangjitje edhe të ndonjë partie shtesë nga radhët e partie të vegjla që vitet e fundit janë pjesë e koalicionit të udhëhequr prej LSDM-së. Dilema e partisë së Mickovskit është se me cilën palë do të koalicionojnë pas zgjedhjeve nga spektri opozitar shqiptar. Deri më tani nuk është përjashtuar mundësia për të koalicionuar edhe me opozitën edhe me BDI-në, në rast se partia e Ahmetit fiton me shumicë të bindshme. Mirëpo gjërat si duket kanë ndrysshuar ditët e fundit e këtë e konfirmoi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Në intervistën e tij në TV24 Mickovski garantoi se BDI do të përjetojë një “befasi të pakëndshme” në zgjedhje, duke u shprehur mjaft i bindur se pas zgjedhjeve Reçica nuk do të jetë në “mapën” e tij koalicionuese.
Mickovski vendosi theksin edhe tek shumica e anketave për rejtingun e partive, të cilat edhe pse ende i japin përparësi BDI-së në kampin shqiptarë, megjithatë tregojnë një trend të rënies së rejtingut të “integristëve”, rritje permanente të rejtingut të partive opozitare

Megjithatë, vlerësimi i përgjithshëm në opinion është se kjo rritje e rejtingut të partive opozitare shqiptare, të “besatuara” në kuadër të koalicionit Lidhja Evropiane për Integrim (LEN), nuk do të ketë efektin e pritshëm për ta, nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët edhe me Aleancën për Shqiptarët.

Përkrahja nga Vetëvendosja e Albin Kurtit sigurisht që paraqet një “infuzion” të fuqishëm për opozitën, por për të garantuar një fitore të sigurt, u nevojitet edhe ASH. Kurse vetë ASH gjendet jo mes katër dilemave: të dalë e vetme në zgjedhje, me BDI-në, me opozitën, apo me BDI-në dhe LSDM-në.

Në këtë parti i japin gjasa minimale mundësisë për të shkuar në koalicion të përbashkët me LSDM-në dhe me BDI-në, kurse gjasa gati të njëjta tri mundësive tjera – për të shkuar me BDI-në, të vetme, ose me opozitën.

LSDM në takim me kundërshtarin e BDI-së!? Ec e bjeri në fije kësaj pune!

Një huti në opinion ka shkaktuar vizita e delegacionit të LSDM-së, udhëhequr nga sekretari i saj i përgjithshëm Mile Zeçeviq në Prishtinë për t’u takuar me Lëvizjen Vetëvendësoje të Albin Kurtit. Huti shkakton fakti se LSDM është në koalicion me BDI-në, kurse Vetëvendosja është futur në koalicion me opozitën shqiptare, rivalët e BDI-së.

Nga kumtesa zyrtare pas takimit, duket se ai ka qenë protokollar, por nëse marim parasysh momentin kur ka ndodhur, është vështirë për të besuar se nuk ka të bëjë edhe me zhvillimet e fundit politike tek ne.

Athua LSDM po mundohet ta bindë Vetëvendësojen të mos ndërhyjë në skenën politike tek ne në anën e opozitës, apo ndoshta po kërkon prej tyre përkrahje për kandidatin presidencial?

Siç bëhet e ditur në kumtesën e VV-së, në takim është biseduar për zhvillimin politik të të dy vendeve dhe është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të të dy subjekteve. Është konstatuar edhe nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit.

“Sot, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sekretari Organizativ, Alim Rama, së bashku me Sekretarin Për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku, dhe anëtaren e këtij sekretariati Anila Vrajolli, mirëpritën një delegacion të partisë LSDM nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Mile Zechevikj, Sekretari Ndërkombëtar, z. Bojan Marichikj dhe Kryetari i Forumit Rinor, z. Marko Mihailoski.

Në këtë takim miqësor u diskutua për zhvillimet politike në dy vendet tona dhe në rajon përgjithësisht. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy subjekteve tona që njëherazi janë edhe anëtare të përbashkëta në platformat e ndryshme socialdemokrate nëpër botë. Bashkë konstatuam nevojën për vazhdimin e rrugës së bashkëpunimit mes dy organizatave sikurse e kemi mes dy forumeve tona rinore. Takimin e përmbyllëm duke diskutuar ngjarjet e ardhshme në të cilat do të jemi së bashku dhe hapat e tjerë për thellimin e bashkëpunimit gjithnjë nën dritën e socialdemokracisë”, qëndron në njoftim.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit