Menjëherë pas pritjes në tapetin e kuq të vendosur para kryeministrisë nga kreu i qeverisë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbajti një deklaratë për mediat, ku tha se ky samit është tepër i rëndësishëm i Procesit të Berlinit, pasi për herë të parë zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Ajo u bëri thirrje të gjitha kompanive të Ballkanit Perëndimor që të kenë vullnetin e duhur për të realizuar tregun e përbashkët rajonal, për të marrë në këtë mënyrë financime më të mëdha nga Bashkimi Evropian.
“Është një samit shumë i veçantë ky që kemi sot. Është i dhjeti i Procesit të Berlinit, por për herë të parë zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe ky është një masash i fuqishëm se sa të përkushtuar jemi drejt zgjerimit. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor, ne mund të bëjmë më mirë. Për këtë kam prezantuar planin e rritjes, duam që t’u japim qasje kompanive të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian. Por për këtë na duhen reforma dhe ata që kanë vullnetin të reformohen dhe që janë të vullnetshëm të realizojnë tregun e përbashkët rajonal, do të marrin financim nga BE. Pra, është një stimul për ata që duan të ecin përpara në këtë drejtim. Dyert tona janë të hapura, ndaj le të punojmë sot në këtë drejtim”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.