Mediat ditëve të fundit publikuan një listë të gjatë të drejtorive që do t’i drejton koalicioni VLEN.
Bëhet fjalë për rreth 400 poste udhëheqëse, përfshirë edhe ato në nivel të njësive rajonale në mbarë vendi. Nga ndarja e kulaçit qeveritar, do të përfitoj edhe ZNAM me rreth 100 poste udhëheqëse apo edhe zëvendësa përfshirë njësitë rajonale.
Partnerët e koalicionit tashmë po shqyrtojnë ndarjen e posteve qeverisëse dhe përgjegjësive në detyrat që do t’i menaxhojnë.
Sipas marrëveshjes jozyrtare, VLEN do të udhëheq edhe dhjetëra institucione shëndetësore e kulturore, agjenci shtetërore dhe burgje, që do të emërohen në pozitat drejtuese të drejtorit apo zëvendësdrejtorit.
Parimisht VLEN hyn në vendet ku ka pasur kuadro të BDI-së deri më tani, pra do të ketë drejtorë në Qendrën Klinike, deputetë në Fondin e Shëndetësisë dhe Fondin e Pensioneve. Ata do të emërojnë njerëzit e tyre në Zyrën për Inteligjencë Financiare, IRS, Regjistrin Qendror, Agjencinë për Administratë dhe Dogana dhe drejtor në Zyrën për Libra Regjistrues, një pjesë e madhe e të cilëve do të jenë zëvendësdrejtor.
Nga institucionet më të mëdha të kontraktuara, janë dakorduar edhe pozita e zëvendësdrejtorit në MRTV dhe MIA, pozita e drejtorit në NP Kullosat, Agjencia për Informacione të Klasifikuara, Metrologji, si dhe pozita e zëvendësdrejtorit në Pyjet Shtetërore dhe ELEM.
VLEN do të menaxhojë edhe disa teatro, Filharoninë, ndërsa do të emërohet edhe zëvendësdrejtor në Bibliotekën Universitare në Shkup. Nga institucionet e burgjeve merr dy drejtorë dhe tre zëvendësdrejtorë. Pra, kuadro të kësaj partie do të menaxhojnë burgun e Strugës dhe Tetovës, ndërsa zëvendës do të ketë në burgun e Ohrit, Shutkës dhe Kumanovës.
Optimizëm i (pa)bazuar në BDI!?
Deri sa partitë që e përbëjnë koalicionin VLEN po i ndajnë drejtoritë mes veti, kthehet optimizmi në BDI se do të mbeten në qeveri, shkruan Zhurnal. Shpresat në BDI janë kthyer pas “marrëveshjes së natës” për votimin e ligjit për riorganizimin e qeverisë, ku parashihen ministri të reja. Zyrtarisht në VMRO thonë se votimi ka qenë pa kushte, kurse në BDI thonë se kushti ka qenë që qeveria dy herë në vit të jep llogari në Kuvend për përfaqësimin adekuat. Por tek një pjesë e strukturës partiake të BDI-së po përhapen informata se partia e tyre do të mbetet në pushtet, ose “do të kthehet së shpejti në pushtet”. Këto informata i demantojnë edhe në VMRO-DPMNE edhe në VLEN, ku thonë se BDI ka përkrahur ligjin që të mos dalin në shesh përçarjet që janë krijuar brenda Frontit Evropian, sepse së paku tre deputetë nga ky Front do të votonin “për” edhe pa pëlqimin e BDI-së.
Dhe me të vërtetë opinioni ende nuk e ka të qartë se si ndodhi që BDI fillimisht të kritikon, e pastaj të lavdëron Ligjin për ministritë e reja. Fillimisht, ishte interesant, ndoshta edhe misterioze koha e votimit, të ndryshimeve, që me 88 vota “për” dhe 22 “kundër” u miratuan rreth orës 3 të mëngjesit natën mes të premtes dhe të shtunës.
Për ligjin votuan deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM, por edhe të BDI-së nga Fronti Evropian, të cilët, edhe pse fillimisht kritikuan ashpër, ndërruan mendje pas një takimi me përfaqësuesit e VMRO-së.
“Bëhet fjalë për një ligj, për zhveshje të disa institucioneve që i shërben vetëm agjendës së VMRO-DPMNE-së dhe vazhdon zhveshja dhe defaktorizimi i kuadrove shqiptarë jo legjitim që do të udhëheqin në dikasteret në një Qeveri jo legjitime”, fillimisht kishte thënë Blerim Bexheti si deputet i BDI-së.
Pastaj, gjatë debatit në Kuvend, ai u mundua të japë arsyetime dhe sqarime për ndryshimin drastik të qëndrimit.
“Duke e shqyrtuar, mendoj se është bartje e kompetencave nga një institucion në tjetër institucion ku mund edhe të ketë logjikë për efikasitet”, theksoi Blerim Bexheti Fronti Europian. Për të ndryshuar mendje, sipas kumtesës së përbashkët të Frontit Europian dhe VMRO-DPMNE-së, ka qenë gatishmëria e VMRO-së për të pranuar ofertën e BDI-së, që të formohet një komision i përkohshëm kuvendor. Detyra e këtij komisioni është të ndjekë përfaqësimin e drejtë etnik në ekzekutiv dhe për këtë duhet ta informojë Kuvendin dy herë në vit.
Në kohën kur, Avokati i Popullit, Balanseri, por edhe një sërë institucionesh kompetente ndjekin përfaqësimin etnik, një komision i tillë konsiderohet paksa i panevojshëm, aq më tepër duke e pasur parasysh historikun e komisioneve kuvendore që zakonisht formohen për të mos kryer, e jo për të kryer punë.
Kush nuk e përkrahu Ligjin për riorganizimin e qeverisë?
Situatën e bën edhe me të paqartë fakti se Aleanca për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës edhe pse ka qenë në takim, nuk është bindur, që në këto kushte, të ndryshojë qëndrimin kundër riorganizimit të qeverisë, shkruan Zhurnal. “Mbetemi në Frontin Europian dhe përfaqësuesi ynë ishte në takim me VMRO-DPMNE-në, por e mbajmë autonominë tonë dhe vlerësojmë se ligjin nuk duhet ta mbështesim”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Gjatë votimit të ligjit, në Kuvend nuk ka qenë as partneri tjetër i BDI-së në Frontin Europian, Skender Rexhepi – Zejd.
Nga VMRO-DPMNE-ja, deklaruan se BDI-ja, ka votuar pa vënë asnjë kusht. “Dhe për herë të parë, përfaqësuesit e BDI-së votuan pa mundësi që të kushtëzojnë, pasi që ndryshimet ligjore janë reformuese dhe transparente. Dhe në këtë situatë, askush për asgjë nuk mund të shantazhojë”, tha Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Opozita maqedonase, ironizoi me situatën e krijuar mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, pas votimit të ligjit.
Kundër ligjit votuan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, të cilët, theksuan se janë kundër që ligji të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërkaq nuk ka të dhëna për implikimet financiare të të njëjtit. Dimitar Kovaçevski, tha se motivi i ligjit është vetëm për pazare politike dhe jo për rritjen e efikasitetit të ministrive.
“A bëhet fjalë për ndryshime të cilat janë të motivuara, nga dëshira që të rritet efikasiteti dhe optimizimi i punës së organeve të administratës shtetërore. Siç thuhet në vetë sqarimin, apo janë të motivuara nga dëshira që të lehtësohet pazari politik, që sa më lehtë të formohet koalicion qeveritar dhe koalicion për miratimin e ligjeve të tjera, për të cilat nevojitet shumicë prej dy të tretave. Është e qartë se bëhet fjalë për të dytën, respektivisht ky proces i riorganizimit është motivuar, vetëm për motive politike, për pazar politik dhe koalicionim”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Megjithatë, nga VMRO-DPMNE theksuan që me miratimin e ligjit mundësohet racionalizimi dhe transparenca e institucioneve.
“Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u votuan ndryshimet e Ligjit për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, me të cilat përfundimisht do të mundësohet riorganizimi i administratës shtetërore, për një qëllim të vetëm – efikasitet i plotë, racionalizim dhe transparencë të institucioneve në shtet”, shtoi Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Miratimi i ligjit, i hapë rrugë mandatarit Hristijan Mickoski që t’i përshpejtojë procedurat për formimin e Qeverisë. Sipas paralajmërimeve, para festës së Bajramit pritet të formohet qeveria. Deri atëherë, Mickoski në Kuvend duhet të dorëzojë programin dhe emrat e përbërjes së re qeveritare.