Autoritetet në Serbi paralajmëruan kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por pa përmendur hulumtime përkatëse për nevojën e një mase të tillë.
Në anketa të ndryshme me qytetarë, vështirë se mund të vërehet gëzim.
Branisllav Popoviq nga Beogradi beson se ky propozim është “i pakuptimtë”, pasi që ushtria e Serbisë është profesioniste.
“Unë besoj se kjo është vetëm një lojë politike dhe se [Qeveria] po përpiqet ta largojë vëmendjen nga disa gjëra të tjera”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Stevani është në të njëzetat e tij dhe thotë se nuk ka shërbyer në ushtri, sepse nuk ka qenë e detyrueshme për gjeneratën e tij. Marrë parasysh se Serbia është e rrethuar nga vendet e NATO-s, ai shprehet:
“Në këtë aspekt, nuk e di se çfarë do të thotë. Nuk është keq që të rinjtë të stërviten për disa gjëra elementare në jetë. Disa thonë se dy muaj e gjysmë janë shumë pak, por nëse do të ishte një vit, askush nuk do të donte të mungonte aq gjatë nga ‘jeta reale’”.
Petri, në anën tjetër, thotë se njerëzit sot janë shumë të ngarkuar me obligimet e veta.
“Është mirë për njerëzit që nuk punojnë. [Ushtria] ua mëson ca gjëra”, shprehet ai.
Kroacia fqinje mori, gjithashtu, vendimin për ta rikthyer shërbimin ushtarak, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Marinko Ogorec, analist ushtarak në Kroaci, beson se vendimi për këtë është marrë kryesisht për të ngritur kulturën e përgjithshme të sigurisë.
“Natyrisht se ekziston nevoja për ta rikthyer atë kulturë sigurie për një pjesë të gjeneratës, në mënyrë që të mund të menaxhojnë situata krize dhe të paparashikueshme. Të rinjtë nuk dinë se si të ofrojnë ndihmën e parë”, thotë Ogorec për Radion Evropa e Lirë. Sipas paralajmërimeve të Qeverisë serbe, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili është hequr më 1 janar të vitit 2011, do të rikthehet në vitin 2025.
Nga koha kur është hequr, njerëzit kanë shkuar në ushtri vetëm vullnetarisht.
Por, nëse gjithçka do të jetë gati për këtë ndryshim, nuk është ende e qartë, sepse shumë gjëra nuk dihen – për shembull: sa do të kushtojë “kthimi në të vjetrën?!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 14 shtator se ka nënshkruar marrëveshjen për kryerjen e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.
“Nuk është dëshira jonë që të sulmojmë dikë dhe as nuk do ta bëjmë këtë. Por, dëshira jonë është t’i pengojmë të gjithë ata që na kërcënojnë çdo ditë”, tha Vuçiq pa specifikuar se kush e “kërcënon” Serbinë. Më herët këtë muaj, Vuçiq tha se shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat, ndërsa vullnetar për gratë. Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 13 shtator se Qeveria e këtij vendi është e gatshme që shumë shpejt të paraqesë në Kuvend një projektligj për kthimin e shërbimit ushtarak – nëse për të arrihet marrëveshje politike dhe sociale.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë përfshin trajnimi 75-ditor, për cilat gjenerata është planifikuar shërbimi i detyrueshëm ushtarak, si dhe pse është i rëndësishëm për Serbinë në këtë kohë.
Naim Leo Beshiri, nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane, thotë për REL-in se te një pjesë e publikut në Evropë ka frikë se konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës do të zgjerohet.
Por, ai thotë se nuk e sheh zgjidhjen te shërbimi i detyrueshëm ushtarak për dy muaj e gjysmë.
“Edhe nëse ndodhin këto konflikte, ato nuk do t’i fitojnë njerëzit e stërvitur në ato 75 ditë, por diplomacia. Me këto ‘ekskursione’, njerëzit po përgatiten për t’u bërë mish për top”, thotë Beshiri. Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk ndodh papritur. Atë e kanë paralajmëruar vazhdimisht zyrtarët serbë, duke përmendur arsye të ndryshme për të. E, ato arsye nuk kanë qenë gjithmonë të “karakterit ushtarak”.
Vuçeviq, për shembull, i tha Televizionit Pink në Serbi më 15 shtator se shërbimi ushtarak do të zgjasë 75 ditë dhe kjo kohë “nuk e pengon jetën, shkollimin, studimet, punën…”.
Sipas tij, “nënat dhe baballarët do të jenë vërtet mirënjohës”, sepse “ushtria do t’i përgatisë djemtë e tyre edhe më mirë për jetën, në mënyrë që ata të rriten si burra”.
Ai tha se ekipi profesional nuk do të shpërbëhet, por se është menduar për punët më të vështira. Vuçiq ka folur për këtë mundësi qysh në vitin 2018, por ka thënë se do të varet edhe nga rrethanat financiare.
“Ne po bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen, në mënyrë që të mund të veprojmë kundër kujtdo që do të përpiqet të bëjë agresion kundër nesh”, ka thënë Vuçiq në atë kohë.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë në vitin 2021 se fakti që “Serbia ka vendosur të jetë një vend ushtarakisht neutral”, kërkon një ushtri të fortë që ka “kapacitete të mjaftueshme për të gjitha misionet e saj – ushtarake dhe civile”.
Serbia deklarohet se është ushtarakisht neutrale dhe ky neutralitet ushtarak është përfshirë në Strategjinë e Mbrojtjes dhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Serbisë në vitin 2019.
Serbia thotë se nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO.
Ideja për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është konkretizuar në janar të këtij viti. Atëkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë ka nisur një iniciativë dhe i ka propozuar presidentit të Serbisë rikthimin e shërbimit ushtarak. Me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjin për ushtrinë, presidenti i Serbisë e komandon ushtrinë serbe në luftë dhe në paqe. Beshiri thotë se paralajmërimi i Qeverisë serbe për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, është bërë pa analizuar nëse një gjë e tillë është e nevojshme.
“Është e qartë se thirrja në ushtri korr përfitime nga një pjesë e opinionit publik. Në dhjetë vjetët e fundit, ky rrëfim është zvarritur disa herë”, thotë Beshiri.
Mendim të ngjashëm ndan edhe Anton Tunja, oficer në pension i ushtrisë sllovene dhe bashkëpunëtor i organizatës “Rrjeti Ballkanik i Sigurisë”.
Sipas tij, një vendim i tillë do të duhej të mbështetej me një analizë serioze.
“Në ueb-faqen e Ushtrisë së Serbisë, në pjesën ku publikohen seancat publike, nuk ka të dhëna nga viti 2023. Kjo sikur ka rënë nga qielli”, thotë ai.
Tunja shton se nuk e sheh ndonjë motiv të qartë prapa këtij vendimi, marrë parasysh se Serbia është pothuajse e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s. Nga vendet fqinje të Serbisë, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk janë anëtare të NATO-s, por forcat e saj (EUFOR dhe KFOR) janë të pranishme në këto vende.
“NATO-ja nuk e përmend Serbinë si objektiv të mundshëm apo diçka të tillë”, thotë Tunja.
Sipas tij, kjo nuk është mënyra për të rekrutuar personel për ushtrinë në kohët moderne.
“Ju mund të siguroni personel për ushtrinë përmes pagesave, përmes përfitimeve… Nuk mund të sillni rekrutë dhe të mendoni se do t’iu pëlqejë. Ose, rekrutët do t’i bëjnë disa punë, në mënyrë që profesionistët të jenë të lirë – si mbajtja e rojeve ose pastrimi – por në atë rast nuk bëhet fjalë për stërvitje”, thotë Tunja. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për ndarjet e planifikuara buxhetore për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në vitin 2018, Vuçiq doli me një vlerësim se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kushtonte nga 90 deri në 130 milionë euro në vit – varësisht nëse trajnimi do të zgjaste tre apo gjashtë muaj.
Oficeri në pension i ushtrisë sllovene, Anton Tunja, thotë se kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është i kushtueshëm.
“Janë shumë para për atë që përfiton. Kjo është përvoja ime nga ushtria sllovene. Është më mirë të kesh një departament të ushtarëve profesionistë të trajnuar mirë, sesa një çetë rekrutësh”, thotë ai, duke shtuar se është e nevojshme që të ndahen rreth 460 milionë euro vetëm për pagat e 100 mijë rekrutëve, marrë parasysh se paga minimale do të jetë 460 euro në vitin 2025.
Kjo është rreth një e treta e buxhetit të Ushtrisë serbe në vitin 2024.
Tunja shton se periudha prej 75 ditësh është e shkurtër për stërvitje serioze ushtarake.
“Për 60 plus 15 ditë stërvitje, nuk mund të bëni një ushtar të mirë që do të shkojë në fushën e betejës. Një profesionist në Slloveni, për shembull, ka tre muaj e gjysmë stërvitje dhe pastaj e perfeksionon atë me çetën e tij për një vit. Kështu krijohet një organizatë, në të cilën [ushtarët] i besojnë njëri-tjetrit”, thotë ai.
Beshiri thotë se ky propozim hap edhe disa probleme të tjera.
“Po flasim për rrogat e atyre ushtarëve, të oficerëve që do t’i drejtonin… për resurset që nevojiten aty, përfshirë edhe rinovimin e kazermave, disa prej të cilave janë shitur pas shfuqizimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, thotë Beshiri.
Ai beson se është më mirë që mjetet të investohen në profesionalizimin e mëtejshëm të ushtrisë dhe në një “fushatë më të mirë” për rekrutimin e profesionistëve.
Kroacia fqinje, siç paralajmëroi në gusht, do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak më 1 janar të vitit 2025 dhe ai do të zgjasë dy muaj.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se “rrethanat e sigurisë në të cilat gjendemi, nuk na lejojnë të kursehemi për këtë”.
Më herët në qershor, ai tha se shtesat për ushtarët që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, do të jenë 900 euro.
Tunja thotë se nuk sheh arsye racionale për këtë vendim.
“As në Kroaci nuk ka ndonjë analizë që tregon se siguria është e rrezikuar. Në Kroaci, kjo është veçanërisht joracionale, sepse ajo është anëtare e NATO-s”, thotë Tunja.
Edhe Ogorec thotë se nuk ka ende detaje konkrete se si do të jetë shërbimi ushtarak në Kroaci, por se për dy muaj, sipas tij, mund të mësohen vetëm “mbrojtja bazë dhe përdorimi i armëve bazë”.
“Ndoshta arsyet për këtë janë të ngjashme në Serbi dhe në Kroaci. Serbia, gjithashtu, e kupton se siguria e popullatës duhet të rritet, për ta përgatitur disi për situata krize. Ne shohim se çfarë po ndodh në të gjithë Evropën, ndryshime të tmerrshme klimatike, përmbytje me shumë dëme…”, thotë ai, duke shtuar se në këto situata popullsia duhet të përgatitet.
Vendet evropiane që, sipas të dhënave të organizatës Demostat të vitit 2021, nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak, janë: Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qiproja.