shkruan: Naser Pajaziti
Drejtoria e të Hyrave Publike (DHP) e njohur në popull si “UJP”- Uprava za Javni Prihodi famoze është institucioni i artë në Maqedoninë e Veriut, pasi që ajo është banka e shtetit, aty ku grumbullohen paratë e shtetit, përmes vjeljes së tatimeve.
Nëse i drejtohesh këtij institucioni përballesh me mbishkrime thuajse ekskluzive njëgjuhëshe, përfshirë edhe informacionet e komunikimit, dokumentacionit. Nëse hyn edhe në faqen e internetit www.ujp.gov.mk vërehet se nuk funksionon gjuha shqipe, pra tek versioni shqip, nuk ka asgjë, përpos mesazhit “në përpunim e sipër”… Edhe formularët që kanë të bëjnë me qytetarët si subjekte fizike nuk ka të përkthyera, edhe pse ligji obligon që komunikimi me qytetarët dhe shërbimet me ta të mundësohet edhe në gjuhën e tyre amtare.
DHP udhëhiqet nga Drejtoria Gjenerale me drejtor, që gjithmonë emërohet një kuadër i lartë apo i besueshëm i partisë kryesore në pushtet. Kjo drejtori gjithmonë është targeti i rezervuar për partitë e mëdha politike, të cilat nga pluralizmi kanë pasur drejtorët nga radhët e tyre. Në këtë drejtori ka zëvendësdrejtor, por i cili me ligj është i pafuqishëm dhe s’ka kokërr vendimmarrje, figuron vetëm kur mungon drejtori, e që kjo nuk ndodhë me këtë institucion.
Zëvendësdrejtorët vazhdimisht thuajse kanë qenë të deleguar nga partitë shqiptare, por jo gjithmonë profesionistë që vijnë nga ky institucion, me përjashtim të emërimeve të viteve të fundit të Abdulselam Selami dhe Tahir Bexheti, që ishin kuadro të brendshëm të këtij institucioni.
Po sa janë të përfaqësuar shqiptarët?
Nëse shohim në total apo sipërfaqësisht shifrat zyrtare janë se përfaqësimi ka mbërritur në 26 %, por problemi është tek pozicionimet apo pozitat e larta, ku përfaqësimi përpos zv/drejtorit është thuajse zero përqind.
Në organogramin e kësaj drejtorie, kabineti i drejtorit gjeneral, postet e larta në drejtoritë më poshtë dhe sektorët janë të gjithë kuadro maqedon, nuk ka shqiptarë. Këtu hyn vetëm një inspektor gjeneral republikan që është kuadër shqiptar.
Të punësuarit shqiptarë janë kryesisht bashkëpunëtorë të rinj, bashkëpunëtorë, arkivues dhe shërbyes të tjerë teknik.
DHP ka 7 drejtori regjionale: Shkup, Manastir, Prilep, Strumicë, Tetovë, Shtip dhe Drejtoria e Obliguesve të Mëdhenj tatimorë. Ato kanë drejtor dhe zëvendësdrejtor regjional. Nga këto shtatë drejtori regjionale vetëm në Tetovë është drejtor shqiptar, e cila përfshin komunat: Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Dibër.
Tatimet kryesisht TVSH (Tatimi i Vlerës së Shtuar) është shtylla kyçe që mbush arkën e buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave të DHP, TVSH më shumë kthehet në regjionalen e Shtipit dhe Strumicës.
Në gjithë vendin janë 67165 aparate fiskale GPRS aktive, prej të cilëve 36.100 janë obligues tatimor aktiv të fiskalizuar. Numri më i madh në Shkup.
Inspektoratet që shkundin kompanitë, ku ka më shumë kontrolle?
Inspektorët tatimor janë ata që shkundin kompanitë me kontrolle të vazhdueshme. Por edhe këtu ka një përfaqësim tejet simbolik për sa i përket shqiptarëve. Në nivel të vendit ka vetëm një inspektor republikan. Ndërsa sa i përket drejtorisë regjionale të Tetovës, nga 28 inspektorët e punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë.
Në tabelën e DHP vërehet se viteve të fundit Tetova është targeti i kontrolleve, ku janë kryer më shumë kontrolle apo rreth 76%, ndërsa sa i përket Shkupit si drejtori më e madhe dhe ku është kapitali i përqëndruar ka vetëm afër 26% kontrolle.
DREJTORIA REGJIONALE | NUMRI I FIRMAREVE TE REGJISTRUARA PER TVSH | KONTROLLE TE TVSH-se PER PERIUDHEN 2015-2022 | RAPORTI KONTROL /FIRM 2015-2022 |
Shkup | 18897 | 4853 | 0,256813251 |
Manastrir | 4561 | 3250 | 0,712563034 |
Strumic | 3524 | 2409 | 0,683598184 |
Tetove | 3590 | 2725 | 0,759052925 |
Shtip | 9039 | 4464 | 0,49385994 |
Drejtoria e obliguesve te medhej tatimor | 336 | 318 | 0,946428571 |