Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donal Trump, ka thënë se “do ta inkurajojë” Rusinë që ta sulmojë çdo anëtar të NATO-s që nuk paguan faturat e tij si pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
Në një tubim të shtunën, Trumpi ka thënë se nuk do ta mbrojë asnjë komb që nuk i kryen pagesat e tij dhe se do ta inkurajojë agresorin të bëjë çfarë të dojë.
Deklarata e Trumpit është quajtur e tmerrshme dhe e pakontrolluar nga Shtëpia e Bardhë.
Duke iu drejtuar popullit gjatë mitingut në Karolinën e Jugut, Trumpi ka thënë se këto komente i ka bërë gjatë një takimi të liderëve të vendeve të NATO-s.
Ai ka përmendur një lider të një “vendi të madh” që sipas tij, ka paraqitur situatë hipotetike në të cilën nuk po përmbushte detyrimet e tij financiare brenda NATO-s dhe ishte sulmuar nga Moska.
Trump tha se lideri kishte pyetur nëse SHBA-ja do t’i vinte në ndihmë vendit të tij në atë skenar.
thashë: Nuk ke paguar? Je shkelës. Jo nuk do të të mbroja, në fakt do t’i inkurajoja të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguash”, ka thënë ai.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se deklarata e ish-presidentit rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë e vendit.
Trump, favoriti për të kandiduar sërish si kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, ka qenë prej kohësh kritik ndaj NATO-s.
Rusia ka nisur pushtimin e saj të plotë në Ukrainë në vitin 2022, gjatë kohës sa Trumpi nuk ka qenë në detyrë. Që atëherë ai është ankuar për shumën e parave të SHBA-së të dërguara në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës më shumë mbështetje financiare se çdo vend tjetër – në total më shumë se 44 miliardë dollarë që nga pushtimi, sipas shifrave të Shtëpisë së Bardhë nga muaji dhjetor.