Televizioni shtetëror i Izraelit KAN njoftoi se ushtria izraelite ka përfunduar përgatitjet për të kryer operacionin e saj tokësor ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Në lajmin e KAN thuhet se prej tre ditësh në zonën kufitare me Gazën nuk ka ndonjë konflikt mes ushtrisë izraelite dhe grupeve palestineze.
Të gjitha zhvillimet, përfshirë lëvizjen dhe pozicionimin e forcave, tregojnë se ushtria izraelite ka përfunduar përgatitjet për të hyrë në Rripin e Gazës, thuhet në lajmin ku transmetohet se operacioni tokësor që do të ndërmerret kundë Gazës është faza e dytë e luftës “pas pastrimit të vendbanimeve hebreje nga palestinezët e armatosur”.
– Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3.478 palestinezë u vranë dhe mbi 12 mijë të tjerë u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Po ashtu në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.
Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 10 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.
Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.
Së fundmi, në sulmin që Izraeli zhvilloi më 17 tetor ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza, u vranë 471 palestinezë ndërsa 342 u plagosën prej të cilëve 28 në gjendje të rëndë.