Rusia e ka bombarduar ashpër qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv, gjatë natës mes 30 dhe 31 dhjetorit, duke i dëmtuar ndërtesat e banimit, një klinikë mjekësore, një hotel dhe infrastruktura të tjera civile, thanë zyrtarët ukrainas.
Kryetari i Harkivit shkroi në rrjetin social Telegram se sulmi i shkaktoi “16 viktima”, pa dhënë hollësi. Zyra e Prokurorit e Ukrainës tha se 26 njerëz u lënduan.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se në mesin e viktimave ishte edhe një gazetar nga Britania e Madhe, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.
Njëra nga raketat ruse e goditi hotelin me pesë yje në Harkiv, Palace Hotel.
Ushtria e Ukrainës raportoi se sulmi u krye me disa dronë iraninë dhe raketa të shkrepura nga rajoni perëndimor i Rusisë, Belgorod.
Ky sulm ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse pretenduan se një sulm ukrainas i vrau 20 civilë në qytetin Belgorod, rreth 25 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë. Rreth 111 njerëz u plagosën, sipas autoriteteve ruse.
Radio Evropa e Lirë nuk ka qenë në gjendje t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Rusisë.
Ukraina nuk ka reaguar ndaj këtyre raportimeve.