Në Kosovë, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës. Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bektel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë për punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, për shkak të, siç kishte thënë Qeveria, dështimit të ekzekutivit të mëhershëm që t’i paguajë me rregull faturat. Pas debateve të nxitura dhe dyshimeve të ngritura nga partitë opozitare autoritetet në Kosovë kishin nisur hetimet lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për “Bechtel-Enka. Më 2020, Qeveria e Albin Kurtit, shfuqizoi vendimin e ekzekutivit paraprak për zgjatje të afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Me këtë vendim, Qeveria Kurti ndërpreu negociatat me konsorciumin turko-amerikan për ndërtimin e lidhjeve të reja dhe të një mbikalimi në autostradë.