OpenAI dhe mbështetësi i tij financiar Microsoft janë paditur të premten në gjykatën federale të Manhatanit, nën pretendimin se kompanitë keqpërdorën punën e tyre për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale, raportoi të dielën Reuters.
Autorët Nicholas Basbanes dhe Nicholas Gage kanë thënë në Gjykatë se kompanitë shkelën të drejtat e tyre të autorit duke përfshirë disa nga librat e tyre si pjesë e të dhënave të përdorura për të trajnuar modelin e gjuhës në GPT të OpenAI-së.
Padia pason disa të tjera të paraqitura nga shkrimtarë të tjerë, duke filluar nga komediania Sarah Silverman, te autori i “Game of Thrones” George R.R. Martin kundër kompanive të teknologjisë mbi përdorimin e supozuar të punës së tyre për të trajnuar programet e AI-së.
Edhe New York Times i ka paditur OpenAI-në dhe Microsoft-in javën e kaluar për përdorimin e punës së gazetarëve të saj për të trajnuar aplikacionet e AI-së.