Në prag të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, mëngjesin e sotëm zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski kanë mbajtur takim me partnerët strategjikë dhe bashkëpunëtorët e afërt të SHBA-së, ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Çështje evropiane dhe euroaziatike Xhejms O’Brajan dhe ambasadoren Anxhela Ageler.
Siç kumtojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE), në takim janë konfirmuar qëndrimet për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren në lidhje me realizimin me sukses të udhëheqjes së shtetit drejt Bashkimit Evropian.
Në takim, është theksuar se krijimi i aleancave dhe krijimi i urave të miqësisë dhe bashkëpunimit në rajon janë strategjia kryesore për realizimin e Planit të rritjes së Komisionit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Përcaktimet kryesore në takim ishin se prioritetet tona në rrugën drejt BE-së janë përkushtimi për zbatimin e reformave, bashkëpunimit, lidhjes përmes instrumenteve financiare që do të nënkuptojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të besueshëm të shtetit dhe rajonit”, thuhet në kumtesën e SÇE-së.