I akuzuari për krime lufte, Zlatan Arsiq është liruar nga akuzat. Të njëjtit i është ndërprerë edhe paraburgimi.
Zlatan Arsiq, ish-pjesëtar i forcave policore serbe, që pas luftës ka qenë edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës akuzohej për torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit 1999 në Kamenicë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Arsiq e ka ndalur fillimisht Besim Muhaxherin dhe familjarët e tij me anë të veturës së policisë e më pas në mënyrë çnjerëzore e ka keqtrajtuar viktimën duke e rrahur shufër gome, shkelma dhe grushte duke e shkaktuar lëndime të rënda trupore të cilat e kanë kanosur eriozisht atë me jetë.
Në aktakuzën e ngritur në korrik 2023 thuhet se Arsiq e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin Muhaxheri dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje.