Lidhja Demokratike kërkon pezullimin e drejtorëve të partisë M-NAV, pas një bastisjeje në kontrollin e trafikut ajror dhe një sulmi fizik ndaj kontrollorëve më herët gjatë ditës së sotme.
Nga partia thonë se për të parandaluar pasojat e mundshme katastrofike është e nevojshme që Qeveria të mbajë një seancë të jashtëzakonshme dhe të shkarkojë drejtorët aktualë partiakë të M-NAV dhe në vend të tyre të emërojë ekspertë nga radhët e të punësuarve.
Ata i bëjnë apel Ministrisë së Brendshme që të marrë masa të menjëhershme ndaj personave që hynë në objekt, si dhe atyre që organizuan depërtimin dhe sulmin ndaj kontrollorëve të trafikut ajror.
“Disa persona kanë hyrë sot në objektin e M-NAV duke sulmuar tre punonjës. Në mesin e sulmuesve ishte edhe një punonjës i kontrollit të trafikut ajror”, njoftoi Ministria e Brendshme.
Kryetari i Sindikatës për Kontrollin e Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski, ka bërë të ditur se sulmuesit që kanë hyrë në ndërtesë nuk janë penguar nga sigurimi dhe paralajmëroi se incidente të tilla mund të kërcënojnë sigurinë e aviacionit kur çdokush mund të hyjë në ndërtesë nga jashtë dhe të sulmojë punonjësit, të cilët në atë moment janë duke kryer detyrat e punës.
Më herët gjatë ditës së sotme u bë e ditur se do të dorëzohen deri në 30 dorëheqje nga punonjësit e M-NAV për shkak të konkurseve të montuara dhe punësimeve partiake.