Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.
Kurti ka publikuar një video dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”, tha Kurti.
Ndërkaq, theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.
Agjencia e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ka bërë publik raportin e saj vjetor, ku vë në dukje kërcënimet që priten të ndikojnë në stabilitetin global, me një vëmendje të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor.
Raporti parashikon se gjatë vitit 2024, rajoni mund të jetë epiqendër e dhunës ndëretnike.
Siç thekson dokumenti, udhëheqësit nacionalistë në rajon mund të përkeqësojnë tensionet për të përfituar avantazhe politike, dhe për të manipuluar ndikimin e aktorëve të jashtëm.
Sipas të dhënave të publikuara, përmes kësaj do të synohet përforcimi dhe shfrytëzimi i dallimeve etnike për arsye të ndryshme, përfshirë rritjen e ndikimit rajonal ose pengimin e integrimit të mëtejmë të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.
Raporti i referohet ngjarjeve të fundit në rajon, si agresioni i Banjskës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.
Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.
Kjo deklaratë e Vuçiqit, ka nxitur reagime përbrenda dhe jashtë Kosovës.
Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, në një reagim në platformën “X”, ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e Vuçiqit për Kosovën.
Tutje tha se si mund të vazhdohet me pretendimin se “problemi” është kryeministri Kurti, kur por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës.
“Hej, Joseph Borrel, Miroslav Lajçak dhe Oliver Varhelyi. A e dëgjuat këtë me zë të lartë dhe qartë? Si mund të vazhdoni të pretendoni se “problemi” është kryeministri Kurti? Ju pretendoni se ndiqni “stabilitetin”, por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës! Vonderleyen ju duhet të ndryshoni kursin e BE-së! Tani!”, ka shkruar ai.
Po ashtu, kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së Vuçiqit.
Roth, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se nuk ka një gjë të tillë “ose Kosova ose Serbia”.
“Presidenti Vuçiq keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë si “ose Kosova ose Bashkimi Evropian”. Por, Vuçiq ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, ka thënë Roth.
Ndërsa, si kundërpërgjigje ndaj tendencës së Vuçiqit, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata.
Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.
“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, tha Hovenier.
Por, pas gjithë kësaj, nuk ka pasur reagim të akterëve në Bashkimin Evropian.