Grupet e të drejtave të njeriut kanë paditur Qeverinë e SHBA-së, me synim që t’i obligojnë shumë agjenci të ofrojnë informata për mijëra afganë të evakuuar që gjenden “të ndaluar në mënyrë arbitrare në shtetet e treta”, raporton “The Intercept”.
Në padi citohen raporte për trajtim brutale në këto qendra, që janë kryesisht të koordinuara apo nën kontroll të Qeverisë së SHBA-së.
Mbi 124 mijë afganë u evakuuan nga SHBA-ja në gusht të vitit 2021, pasi që Talebanët rimorën nën kontroll Afganistanit. Mijëra vazhdojnë të mbesin në kampe në shtetet e treta, përfshirë Humanitarian City në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kampi As Sayliyah në Katar apo Kampi Liya në Kosovë.
Human Rights Watch ka treguar në një raport në mars të këtij viti për kushte të rënda nëpër kampet.
“The Intercept” ka treguar se si kampi Liya në Kosovë ka marrë nofkën “Guantanamo e vogël”.
Guantanamo është burg ushtarak i SHBA-së që gjendet në Gjirin e Guantanamos në Kuba. Kampi ishte ngritur në vitin 2002 në kohën e administratës së George Bushit gjatë luftës kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Atje mbahen të dyshuarit për terrorizëm.
“Kampi Liya në Kosovë ka fituar nofkën ‘Guantanamo e vogël’ sepse individët atje mbahen brenda premisave të kampit dhe u thuhet se nëse largohen, atëherë aplikimet për azil në SHBA do të refuzohen”, thuhet nga “The Intercept”.
“Ata janë të mbyllur në këto kampe”, thotë Sadaf Doost, avokat i Qendrës për të Drejta Kushtetuese (CCR).
Kampi Liya gjendet brenda kampit Bondsteel në Kosovë. Mbi 1000 refugjatë afganë u pranuan në kampin Liya në vitin 2021. Shumë prej tyre ende ndodhin në procesin e verifikimit. Disa prej tyre nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit madje.