Friday, November 22, 2024
spot_img
BallinaLajmeInspektorati në gjah të duhanpirësve!

Inspektorati në gjah të duhanpirësve!

Në Maqedoni pirja e duhanit lejohet vetëm në tarracat e jashtme, por një pjesë e mirë e restoranteve nuk e respektojnë Ligjin për Mbrojtje nga Duhani. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë thënë se vetëm muajin e kaluar inspektorët kanë kryer 130 kontrolle të lokaleve në mbarë Maqedoninë, ku theksi është vënë në respektimin e Ligjit për mbrojtje nga duhani. Janë regjistruar 18 shkelje, me të cilat janë derdhur mbi 25 mijë euro gjoba në buxhetin e shtetit. Habia më e madhe qëndron te fakti se sipas të njëjtit ligj, në nenin 20 thuhet se ata që përdorin drogë, substanca dhe prekusorë narkotikë do të gjobiten me nga 200 – 500 euro në kundërvlerë denarë. Kjo mbase është e çuditshme dhe e pakuptimtë se si ka mundësi që substancat narkotike të jenë të njëjta me cigaret për nga aspekti i dënimit, ndërkaq për nga aspekti i pasojave dhe mundësive për të prishur rendin publik dallojnë shumë. Sepse, një përdorues i substancave narkotike është potencialisht më prishës i rendit publik, se sa një duhanpirës, por këtë dallim ligjvënësit tonë nuk e vërejnë dot, shkruan Zhurnal.

Sa janë dënimet për duhanpirësit dhe pronarët e lokaleve?

Sipas ligjit gjoba për personin juridik është nga 2.000 deri në 4.500 euro, për personin përgjegjës nga 500 deri në 1.000 euro dhe personi fizik që do të kapet duke pirë duhan në objekt të mbyllur do të gjobitet nga 100 deri në 300 euro.

Por, kur shikohen dënimet tjera për sa i përket prishjes së rendit publik, krijohet një huti dhe çudi e madhe se si ka mundësi mos të ketë një harmoinizim dhe diferencim mes atyre që pinë duhan, atyre që lëshojnë muzikë gjatë natës, si dhe atyre që kapen duke përdorë substanca narkotike.

Në ligjin për kundërvajtjet për prishjen e rendit publik, në nenin 20 thuhet se ata që përdorin drogë, substanca dhe prekusorë narkotikë, do të gjobiten me nga 200 deri në 500 euro në kundërvlerë denarë. E pastaj, pyesim se ku qëndron logjika e dënimeve të atyre që kapen duke pirë duhan dhe atyre që kapen duke marrë substanca narkotike?. A janë të njëjta duhani me substancat narkotike meqë sipas hartuesve të këtij ligji gjobitja duhet të jetë e njëjtë?

Janë pyetje që në këtë shtet e me këto ligje të hartuara nga njerëz që nuk e kanë idenë e pasojave të duhanit dhe të substancave narkotike, në fakt as që mund ta bëjnë dallimin. Më poshtë do të sjellim sqarime se çfarë janë substancat narkotike dhe çfarë është duhani.

Dëmet nga duhani dhe substancat narkotike-

Duhani gjatë djegjes çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit dhe deri te katranet, substancat që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive. Në qoftë se do të bëjmë një listë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejt nga duhani, ato që ndikohen apo rëndohen prej tij, ajo do të jetë tepër e gjatë, por le të përqendrohemi mbi dëmet kryesore.

Duhani është përgjegjës për të ashtuquajturën “epidemi” të kancerit të mushkërive, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, duke çuar këtë kancer në numrin “1” të vdekshmërisë së kancerit te meshkujt. Te femrat kanceri i mushkërive nuk ka rol parësor në vdekshmërinë, por rreziku prej tij, është rritur çdo 10-vjeçar me rritjen e përdorimit të tij prej femrave. Dëmet më të mëdha shkaktohen në sistemin kardiovaskular të gjakut. Është vërtetuar se sëmundjet e trurit janë të pranishme në një numër: 3.4 mijë, tek ata që nuk pinë duhan dhe 7.4 mijë tek ata që pinë duhan. Tek ata që pinë 20 cigare në ditë, ky rrezik trefishohet. Prandaj, dënimet për pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura sigurisht që duhet të jenë të larta sepse edhe pasojat janë të mëdha edhe për ata që nuk e pinë por pa vullnetin e tyre ekspozohen ndaj tymit të duhanit. Por, të shohim se çfarë janë substancat narkotike?

Në shoqërinë shqiptare drogat dhe problemet që shkaktojnë ato janë bërë më shumë evidente sidomos pas viteve 90. Me hapjen e shoqërisë, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave një produkt i ri deri diku edhe i panjohur për shoqërinë tonë të asaj kohe siç ishte droga u fut në vendin tonë.  Përdorimi i rregullt i drogave të ndryshme, sigurisht që ka një sërë efektesh përcjellëse. Sipas specialistëve të anti-drogës mësohet se efektet e para nga përdorimi i substancave narkotike janë në tru dhe në të gjithë sistemin nervor. Në këtë mënyrë përdorimi i vazhdueshëm bën që të ulet veprimtaria e trurit, çekuilibrimin e sistemit mendor të cilin e largojnë personin nga jeta dhe veprimtaria e përditshme shoqërore.

Në këtë rast shfaqen dhe sëmundjet mendore siç janë psikopatia, kapja shpejt nga stresi, humbja shpjet e vetëdijes, pagjumësia, mërmëritja dhe folja në gjumë, halucinacione, humbja e kujtesës etj. Me pak fjalë të sëmurë mendërisht si dhe kaos në gjendjen shpirtërore. Puna më e madhe për pastrimin e organizmit nga lëndët toksike i bie mëlçisë dhe veshkave. Gjaku është shumë i ndjeshëm nga substancat narkotike. Anemia, toksikimi i gjakut, ndryshimi i formave dhe sasisë së qelizave të gjakut, gangrena janë pasojat më të rrezikshme. Po ashtu është i pallogaritshëm dëmi që i shkakton droga të lidhurit pas saj, jetës familjare, fëmijëve që do të lindin, jetës sociale, ekonomisë së familjes dhe të shtetit nga ana tjetër.

Nga kjo kuptohet që ekziston një dallim shumë i madh mes duhanit dhe substancave narkotike, që edhe në prishjen e rendit publik rastet potenciale më të mëdha janë që përdoruesit e substancave narkotike të prishin rendin publik, ndërkaq duhanpirësit prishin shëndetin e tyre dhe të atyre që janë të ekspozuar në ato hapësira.

Por ligjëvënësit tonë nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë dallim kaq të madh, dhe kanë vepruar në atë formë që dënimet të jenë pothuajse të së njëjtës vlerë sikurse ai apo ajo që pi duhan sikurse ato që marrin substanca narkotike.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit