Sunday, November 24, 2024
spot_img
BallinaLajmeGërvalla dhe Gjuriq përplasen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB

Gërvalla dhe Gjuriq përplasen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB

Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë janë përplasur në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për misionin e OKB-së në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës. Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.

Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare.

“Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha ajo.

Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.

Ai tha se Serbia qëndron me serbët në Kosovë dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë.

“Koha për veprime vendimtare është tani. Veprimet e Prishtinës vazhdon të minojë stabilitetin, shkelin të drejtat e njeriut dhe injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Na duhen pasoja të qarta. Duhen të vendosen sanksione ndaj administratës së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe duhet zero tolerancë ndaj veprimeve të tjera të njëanshme që nxisin konflikte dhe tensione”, tha ai.

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, përmendi shqetësimin e shprehur nga sektori civil serb, banorët dhe partitë politike lidhur me vendimet për mbylljen e institucioneve në veri – që vepronin sipas sistemit serb – për ndikimin që kanë në jetën e tyre.

“Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime kyçe, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve.

Gjuriq po ashtu tha se Kosova nuk do që ta themelojë këtë asociacion, që tha se nuk është opsion, por obligim nga dialogu i Brukselit.

Por, Gërvalla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është i interesuar që Asociacioni të lehtësojë jetën e serbëve të Kosovës.

“Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë. Sikurse [presidenti rus, Vladimir] Putin me Ukrainën, Vuçiqi nuk do asgjë më pak sesa zhdukjen e Kosovës”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk është e interesuar për dialog, duke e akuzuar Beogradin për bllokim të procesit.

Gërvalla po ashtu foli për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se ky ishte vetëm tentimi i parë, siç tha, i Serbisë, ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se Vuçiqi “po përgatitet për më shumë”.

“Sulmi i Serbisë i 24 shtatorit të vitit të kaluar u planifikua si invazion ushtarak dhe aneksim i një shteti paqësor që ka mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë, ai ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit kundër një shteti me prani të NATO-s. Është test për Perëndimin, test për më shumë. Dhe Vuçiqi e Putini nuk po heqin dorë. Prandaj, fillimisht na duhet parandalim, e më pas dialog. Vetëm me parandalim, paqja dhe siguria mund të jenë të sigurt”, tha ajo.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin në Banjskë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjegjsëinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndaj tij dhe dhjetëra serbëve të tjerë, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.

Gërvalla tha se Kosova kërkon ekstradimin e Radoçiqit nga Serbia. 

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit