Për disa nga partitë politike në Kuvend fjalimi i fundvitit i Presidentit adresoi çështjet më shqetësuese dhe problematike që karakterizuan vitin që lëmë pas, kurse për parti të tjera, Presidenti la pa përmendur gjërat më të rëndësishme.
VMRO-DPMNE e konsideroi fjalimin bosh.
“Ky ishte një fjalim bosh i mbushur me flluska, kryesisht i dedikuar për LSDM-në ku do të vendosin nëse Pendarovski do të jetë ose jo kandidat për President vitin e ardhshëm. Pajtohemi vetëm me një fakt në fjalimin e Pendarovskit dhe ajo është që ky ishte fjalimi i fundit i tij në Kuvendin e Maqedonisë. A do ta lëshojë Maqedoninë nëse nuk zgjidhet si President ashtu siç ka deklaruar në vitin 2019, e lëmë të jetë vendim i tij dhe i familjes së tij”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Opozita shqiptare tha se Presidenti la pa përmendur çështjen më të rëndësishme, moskompletimin e KSHZ-së, si një nga institucionet kyçe zgjedhore.
“Pritëm si opozitë shqiptare që Presidenti i shtetit sot këtë çështje do ta trajtojë sot në paraqitjen e tij në Kuvend për shkak se bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm kushtetues dhe jemi në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare, ne nuk e dëgjuam qëndrimin e presidentit të shtetit rreth kësaj çështje. Nëse ne hymë në zgjedhje pa kompletimin e KSHZ-së, ashtu siç është edhe komfor Kodit zgjedhor, vend që i takon opozitës shqiptare, atëherë porosia është shumë e qartë, është shumë negative, është shumë shqetësuese”, theksoi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa, Lidhja Evropiane për Ndryshim.
Për pushtetin, fjalimi i ngjante atij të burrështetasi. LSDM-ja thotë se fjalimi vërtetoi se vendi duhet të fokusohet në integrimin në BE.
“Ishim dëshmitar të një fjalimi burrështetasi të Presidentit Stevo Pendarovski, si President i të gjithë qytetarëve. I përmblodhi sfidat e viteve të fundit me fokus në qëllimet kyçe nacionale; anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. LSDM-ja e mbështet mendimin e Presidentit që vendi duhet të vazhdojë fuqishëm në rrugën evropiane dhe në orientimin pro-perëndimor”, deklaroi Martin Kostovski, LSDM.
Edhe për BDI-në, mesazhi i presidentit tregoi rëndësinë që integrimi i vendit ka.
“Janë dy çështje të cilat i theksoi edhe Presidenti e që duhet t’i kenë parasysh partitë politike edhe pas zgjedhjeve pavarësisht se kush fiton ato zgjedhje dhe cila do të jetë shumica e ardhshme parlamentare. Çështja e parë është ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe e dyta ruajtja e kursit properëndimor, proevropian të vendit. Është dëshpëruese se si vendi nuk mori dritë jeshile për të hapur klasterët, për t’u lëshuar në substancë të këtyre negociatave për anëtarësim në BE, respektivisht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.
Aleanca për Shqiptarët mbështeti ftesën e Presidentit për rivlerësim të gjykatësve dhe prokurorëve duke e cilësuar si aleat në idenë e tyre. Por thonë se ai la pa përmendur situatën me nxënësit shqiptar në Çashkë.
“Unë do të isha ndalur në aspektin e reformimit të gjyqësorit ku Presidenti i shtetit e përmendi dhe u bëri apel deputetëve që menjëherë mbas zgjedhjeve parlamentare, parlamenti i ardhshëm të angazhohet më seriozisht në reformimin e gjyqësisë, respektivisht në ndryshimin dhe ndërrimin e shumë gjykatësve dhe prokurorëve dhe neve na vjen mirë që kemi gjetur një aleat të fuqishëm te presidenti në këtë angazhimin tonë të pandërprerë. Fatkeqësisht Presidenti i shtetit nuk u ndal, gjithnjë në aspektin e kohezionit të brendshëm, në aspektin e garantimit të të drejtave universale, në aspektin e garantimit të të drejtave kushtetuese, që të komentojë së paku protestat e qytetarëve maqedonas për shkollimin në gjuhën shqipe në Çashkë”, nënvizoi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Fjalimin e Presidentit për të disatin vit me radhë e bojkotoi E Majta.