“Të jesh psikoterapeute e fëmijëve dhe të rinjve si dhe psikoterapeute e familjes d.m.th. ti duhet ta njohësh gjithë sistemin, të kesh empati sidomos ndaj fëmijës…”
Si ushtrohet sot puna e psikiatrit/psikiatres së fëmijëve, çfarë e bën këtë punë më të vështirë dhe cili është në profili i pacientit tipik të një psikiatri/e në Zvicër. Lidhur me këto dhe me çështje të tjera përkitazi me psikiatrinë për fëmijë dhe atë të përgjithshme, për Albinfo.ch flet mjekja specialiste e psikiatrisë së fëmijëve Xhezide (Xhida) Lumi. Ajo punon prej vitesh si kryemjeke, shefe e kujdesit special nën 5 vjeç në Shërbimet Psikiatrike Aargau AG (PDAG).
Albinfo.ch: Sa e vështirë është të ushtroni profesionin e psikiatres së fëmijëve ne Zvicër në kohën e digjitalizimit, jetës dinamike, varësisë nga rrjetet sociale etj.?
Dr. Xh. Lumi: Zhvillimi marramendës i këtij shekulli (digjitalizimi, iPhone, iPad, Play Station, video-lojërat etj.) përveç efekteve pozitive ka mjaft efekte negative sidomos tek fëmijët dhe te rinjtë si p.sh. dobëson muskujt konjitivë, dërrmon trurin ne zhvillim e sipër të fëmijës, të rinjve por edhe të të rriturve. Me një fjalë, përdorimi i tepërt i tabletit dhe celularëve i shkëput fëmijët nga natyra duke i hapur dyert narcizmit, pakënaqësive, ankthit dhe dëshpërimit.
Fëmijët e sotëm janë më kokëfortë, impulsivë, agresivë, dhe nuk janë të kënaqur me asgjë ndonëse i kanë të gjitha. Gjithashtu krizat prindër-fëmijë janë në shtim e sipër çka e bën edhe më të vështirësuar punën e psikiatres dhe psikoterapeutes për fëmijë dhe të rinj e po ashtu edhe punën me familje.
Të jesh psikoterapeute e fëmijëve dhe të rinjve si dhe psikoterapeute e familjes d.m.th. ti duhesh ta njohësh të gjithë sistemin, të kesh empati sidomos ndaj fëmijës, të kesh durim, të jesh i paanshëm: as me prindër e as me fëmijën, të kesh mirëkuptim për situatën, por njëkohësisht të fillosh me strukturim sidomos tek familjet e pastrukturuara dhe kaotike.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për një mjeke që ka migruar nga Kosova, të jetë tani mjeke psikiatre në Zvicër?
Dr. Xh. Lumi: Sidomos për mjekët e brezit tim posaçërisht mjekeve kur kësaj i shtojmë edhe rolin e nënës vetushqyese i bie sikur tua mësysh Himalajeve, andaj duhet të kesh forcë, vullnet e mbi të gjitha shpirt luftarak e plot motivim t`i kapërcesh akullnajat duke ditur se pas çdo shiu vjen dielli.
Albinfo.ch: Kur keni migruar ne Zvicër, dhe a mund të na tregoni si depërtuat në fushën ku punoni?
Dr. Xh. Lumi: Në Zvicër përfundimisht jam vendosur nga viti 1994. Rrugëtimi im deri tek vendi dhe roli i merituar e i dëshiruar ka pasur shumë peripeci, punë të ndryshme në fillim derisa më në fund u inkuadrova në profesionin tim, u bëra kryemjeke, të udhëheqë repartin special, tu jap supervizion mjekëve, psikologëve dhe pedagogëve… Shtoj kësaj edhe përgjegjësinë e rritjes dhe edukimit të dy fëmijëve që janë mburrja dhe motivimi im më i madh, mund të them se relativisht e kam arritur qëllimin tim. Them relativisht pasi dëshira ime është të jem e pavarur dhe të mund më shumë të kontribuoj për bashkatdhetarët mbi të gjitha të krijoj edhe një urë ndërlidhëse mes Zvicrës dhe mëmëdheut. Shpresoj të realizohet në vitet në vijim.
Albinfo.ch: Cilat janë ndryshimet kryesore midis terapisë se fëmijëve dhe terapisë së të rriturve?
Dr. Xh. Lumi: Këto terapi plotësohen mes veti. Terapia tek të rriturit më shumë ka qasje ndaj individit kurse terapia me fëmijë i jep rëndësi më shumë të gjithë sistemit.d.m.th. përfshihet e gjithë familja. Terapinë me fëmijë mund ta kombinosh varësisht nga problemet, me terapi të sjelljes apo sistemike madje edhe psikoanalitike, të cilën e përdorim më shumë tek fëmijët e moshës nën 5 vjeç.
Albinfo.ch: Si të zbulojmë depresionin te fëmijët dhe si t`i mësojmë nga mënyra për t’i ndihmuar ata te ndihen më mirë? Çfarë e shkakton depresionin?
Dr. Xh. Lumi: Depresioni tek fëmijët dhe të rinjtë shfaqet në mënyra të ndryshme. Simptomat tek fëmijët dhe të rinjtë: pezullimi i lojës, nervozizmi, irritimi, vështirësitë në shkollë, çrregullime të gjumit, ndjenja e inferioritetit, dhimbje barku dhe koke si dhe impulse suicidale. Vlen të cekim se depresioni më së shumti paraqitet nga mosha 12-13 vjeçare.
Albinfo.ch: Hiperaktiviteti (ADHD) si term po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë. A trajtoni raste të tilla dhe cilat janë “shkaqet që çojnë” në shfaqjen e ADHD tek fëmija?
Dr. Xh. Lumi: Ne kemi mjaft raste të fëmijëve me ADHS (ADHD), çrregullim që mund të diagnostifikohet që nga mosha 6-vjeçare. Simptomat i vërejmë qysh në moshën parashkollore dhe fillohet me psikoterapi shumë herët, para moshës 5 vjeçare. Këtu janë mjaft të qarta tri simptomat kryesorë: fëmija jo i vëmendshëm, hiperaktiv dhe impulsiv.
Komorbiditetitet tek ADHS janë: çrregullime të sjelljes sociale, çrregullime të frikës, Depresioni, çrregullime në mësim, çrregullime motorike, çrregullime në tru dhe çrregullime të spektrit të autizmit.
Disa vijnë me iniciativën e prindërve e disa me iniciativën e pedagogëve. Është shumë me rëndësi që të mos ndërhyhet në gjallërinë e fëmijëve për aq sa nuk bëjnë ndonjë dëm, nuk ka arsye të kufizohet gjallëria e tyre.
Albinfo.ch: Cilat janë çrregullimet ose problemet më të zakonshme që i trajtoni në seancat e terapisë?
Dr. Xh. Lumi: Ndarja e prindërve, sjellje agresive, fatkeqësi të ndryshme, refuzimi për të ndjekur kopshtin e fëmijëve, fëmijët e adoptuar (birësuar), enuresis / opstipacioni, stagnimi në të folur, fëmija nuk flet ose flet vetëm me anëtarët e familjes/mutismi selektiv, frika / depresioni, çrregullime të gjumit / të ushqyerit / të qarit, dhuna në familje (psikologjike, fizike)… Ekspertiza dhe përvoja jonë na tregon se sa më i ri të jetë fëmija, aq më shpejt do të lëvizim në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, në varësi të numrit të faktorëve të rrezikut.
Albinfo.ch: Cili është roli i prindërve, sidomos atyre me origjinë të huaj, kur shkojnë te një psikolog ose psikiatër i fëmijëve me fëmijën e tyre?
Dr. Xh. Lumi: Të informohen mirë, nëse është nevoja me përkthyes (këtu duhet shumë kujdes që nga ana e përkthyesit të mos ketë absolutisht asnjë interpretim). Të largohen paragjykimet, stigmatizimi, pasi e ardhmja e fëmijës të tyre varet shumë nga intervenimi sa më i hershëm.
Albinfo.ch: Dënimi është një çështje e diskutueshme. A mund të përdoret ndëshkimi në edukimin e një fëmije? Cila është mënyra për ta zbatuar atë?
Dr. Xh. Lumi: Ne, si psikoterapeutë, jemi shumë kundër dhunës, pasi dënimi fizik ndaj fëmijës nuk është efektiv. Ata fëmijë që rrihen nga dikush do ta nxjerrin hakun ndaj dikujt tjetër (p.sh. motrës/vëllait më të vogël, shokut/shoqes së klasës ose ndaj vetvetes. Nuk thonë kot se viktima shpesh bëhet sulmues.
Nëse mund ta quaj si dënim të arsyeshëm do të ishte p.sh. kufizimi i lëvizjes për një kohë të shkurtër në dhomë, por kurrsesi të teprohet pasi do të ketë efekte të kundërta.
Nuk preferojmë që fëmija gjatë pauzës në shkollë të dënohet p.sh. e të rrijë në klasë pasi ai do ta pengojë procesin mësimor më pastaj duke mos gjetur qetësinë apo më mirë me thëne duke mos zbrazur energjinë e tepërt gjatë pauzës.
Albinfo.ch: Procesi i bërjes prind në diasporë është shumë kompleks, a mund t’u jepni lexuesve tanë disa këshilla themelore për të edukuar fëmijët e tyre?
Dr. Xh. Lumi: Së pari, secili duhet ta respektojë kulturën dhe prejardhjen e tij. Asgjë nuk ka absolute as për të keq e as për të mirë.
Kushtoni rëndësi disiplinës, bashkëpunoni me mësuesit, kujdes nga ndërhyrjet fizike (dhuna). Raporti nënë -baba ndikon shumë tek fëmija andaj kujdes nga bisedat e tensionuara para fëmijëve. Ai baba që synon të rrisë fëmijë të edukuar dhe me personalitet, së pari le të tregojë dashuri ndaj nënës së fëmijëve të vet.
Lavdërimi i fëmijës duhet të bëhet me masë e jo p.sh t`i thuhet atij: ti je më inteligjenti në klasë (ai do t`i bëjë trysni vetvetes që të mos ju zhgënjejë. Rezultati: ose bëhet superior ndaj nxënësve tjerë duke menduar se është i paarritshëm ose bie në depresion duke luftuar të kënaqë pritjet e juaja.
Sapo të vëreni çrregullime si në sjellje apo në të folur etj. mos pritni më shumë se 6 muaj, dhe paraqituni tek psikiatri apo psikologu. Kuptohet duke e vështruar fëmijën tuaj brenda atyre 6 muajve dhe duke mbajtur shënime. Prindi e ka rolin kryesor në intervenimin e hershëm.
Nëse nuk jeni të kënaqur me vlerësimin e terapeutit, keni të drejtë gjithmonë për një mendim të dytë brenda vitit. Kjo përkrahet nga sigurimi shëndetësor.
Dhe për fund, kujdes fëmijët tuaj, klientët e mi në klinikën ku punoj më shumë se 50% kanë filluar me konsumimin e kanabis që nga mosha 12-13 vjeçare, kjo është edhe mosha ku më së shumti bien në depresion dhe duke munguar komunikimi i mirëfilltë me prindër, ngushëllimin e gjejnë tek konsumimi i drogave.