-Që nga prilli ka një rritje reale të pagave. Efektet e krizave nuk i ndjejnë vetëm qytetarët tanë, por ndjehen edhe në Evropë dhe në botë. Sfidat ende mbeten sepse ka lëvizje gjeopolitike të cilat ndikojnë edhe ndaj tregjeve, deklaroi sot ministri i Financave Fatmir Besimi.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Besimi tha se që nga prilli pagat nuk po rriten vetëm në mënyrë nominale, por realisht, sepse inflacioni po ulet. Ajo që është më e rëndësishme, sipas Besimit, nuk është vetëm që pagat realisht të rriten, por rritja reale e pagave të jetë e qëndrueshme.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se do të bëjmë 100 për qind absorbim të goditjes ekonomike. Maqedonia ishte më e prekura për sa i përket çmimeve në tregun evropian dhe te dhe ne atë efekt e zbutëm dhe do të vazhdojmë edhe më tej. Edhe qytetarët shohin se edhe krahas kësaj që po rriten çmimet, ka pasur rritje të pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat në krahasim me vendet e tjera”, tha Besimi.
Përkujtoi se ekonomia e Maqedonisë është e vogël dhe e integruar lartë në tregun evropian dhe se 160 për qind e BPV-së është tregti nga e cila 80 për qind është me BE-në, ndërsa mbi gjysma është me Gjermaninë, e cila këtë vit është në recesion.