Formati i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të plotësohet më së voni më 28 shkurt. Në koordinimin në Kuvend, seanca për zgjedhjen e Avdush Demirit për anëtar të KSHZ-së nga radhët e opozitës është planifikuar javën e ardhshme. Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli tha se nuk pret më pengesa nga shumica parlamentare.
“Si datë e sigurt kur mund të votohet kandidati Avdush Demiri është 28 shkurti. Bëhet fjalë për një javë dhe jo më tepër. Nuk presim të ketë vështirësi për kandidatin e opozitës shqiptare, veçanërisht tani kur LSDM-ja në mbledhje të komisionit tregoi gatishmëri që t’i respekton dispozitat ligjore me qëllim konstituimin e KSHZ-së”, deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
Anëtari i KSHZ-së u zvarrit me muaj. Opozita shqiptare e kërkoi atë duke u bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor, por Aleanca për Shqiptarët deri para pak javëve këmbëngulte se anëtari u takon atyre duke u thirrur në një situatë paraprake dhe jo gjendjen faktike zgjedhore ashtu siç parashikonte ligji. Në Komisionin për zgjedhje dhe emërime procedura u zvarrit me muaj, ndërsa opozita shqiptare alarmoi misionet vëzhguese në vend për pasojat që mund t’i sjell mungesa e anëtarët të opozitës në institucionin që organizon dhe zbaton proceset zgjedhore. Përveç komisionit, obstruksione ndaj procedurës kishte bërë edhe ish kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi me zvarritjen e seancës plenare, veprim për të cilin opozita shqiptare kishte reaguar disa herë. Për një pozitë në KSHZ u paraqitën 5 anëtarë, ndërsa së fundi nga gara u tërhoq ish deputeti Zulfi Adili. Vendi vakant në KSHZ mbeti pas dorëheqjes së Krenar Llogës nga kjo pozitë për shkak të emërimit të tij si ministër i Drejtësisë.