Friday, November 22, 2024
spot_img
BallinaLajmeAnalizë: Fronti opozitar bashkë, ASH e vetme! A do shkojë BDI në...

Analizë: Fronti opozitar bashkë, ASH e vetme! A do shkojë BDI në zgjedhje vetëm, me PDE-në dhe LP-në, apo me LSDM-në?

Zgjedhjet e ardhshme po afrohen, por ende nuk është e ditur nëse në pranverë të vitit 2024 do të kemi zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe presidenciale, apo do të mbahen veç e veç. Kryeparlamentari Talat Xhaferi dje ka deklaruar se zgjedhjet e përbashkëta mund të mbahen në një datë brenda periudhës së shkurtër kohore 5-8 maj, kurse çdo datë tjetër jahstë kësaj periudhe ktër-pesë ditore do të thotë se do të kemi zgjedhje të veçanta parlamentare dhe presidenciale, shkruan Zhurnal.

“Inaugurimi i Presidentit të vendit duhet të jetë më 12 maj 2024. Zgjedhjet mbahen gjatë 60 ditëve të fundit të mandatit aktual, 60 ditët e fundit janë midis datave 14 mars dhe 12 maj 2024. Zgjedhjet zhvillohen në dy raunde zgjedhore: raundi i parë 14 mars 2024ç raundi i dytë: maksimumi 8 maj 2024”, sqaroi Xhaferi.

Zgjedhjet shpallen nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit, afati është: jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Raundi i parë: nëse janë më 14 mars, atëherë shpallja e zgjedhjeve duhet të jetë më 4 janar 2024 (minimumi 70 ditë)”.

“Raundi i dytë: nëse janë më vonë më 8 maj (atëherë në këtë rast raundi i parë duhet të jetë më 24 prill), shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje”, tha ai në vazhdim.

Tek maqedonasit ujin e “turbullojnë” Levica dhe Maksim Dimitrievski

E kur kanë mbetur 6-7 muaj deri në zgjedhje, kanë filluar të duken edhe konturat e koalicioneve që do të marin pjesë në to. Në kampin maqedonas gara gjatë kohë zhvillohet mes blloqeve të udhëhequra nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, rreth të cilave gravitojnë partitë e vogla maqedonase, por edhe të komuniteteve pakicë.
Mirëpo kësaj radhe duket të jetë pak ndryshe dhe këto dy blloqe të sfidohen nga Levica, e cila edhe në zgjedhjet e kaluara fitoi dy deputetë, si dhe nga lëvizja e re e kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski “ZNAM”, e cila nëse jo diku tjetër, atëherë në komunën që e udhëheqë Dimitrievski mund t’ua prishë hesapet dy blloqeve kryesore, shkruan Zhurnal.

E panjohur mbetet nëse deri në zgjedhje do të formohet edhe partia e kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, për të cilën mediat kanë raportuar se do të quhet “Pravda”. Mirëpo duke pasur parasysh rejtingun e ulët momental të Arsovskës, formimi i një partie nga ana e saj dhe pjesëmarrja në zgjedhje, më tepër duket se do të kishte për qëllim t’i “djegë” vota ndonjërit prej blloqeve politike, se që ka gjasa për të fituar ndonjë mandate deputeti.

Si qëndrojnë punët në kampin shqiptar?
Blloku opozitar i partive politike shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të garojë me listë të përbashkët, ka konfirmuar kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
“Ne si opozitë shqiptare, pra do të dalim me lista të përbashkëta, partitë shqiptare dhe poashtu kemi vendim që do të dalim me kandidat për president shqiptar, cili do të jetë, do të shohim. Po bëjmë analiza nëse do të jetë brenda strukturave, apo duhet të jetë ekspert i fushës, dmth intelektual i pavarur”, tha mes tjerash Mexhiti, duke shtuar se si subjekt politik mendojnë se është më mirë që zgjedhjet parlamentare të mbahen bashkë me presidencialet.

Mexhiti i ka bë apel edhe ASH-së që t’i bashkohet frontit opozitar, por përgjigje ka dhënë ish kryetari i kësaj partie Ziadin Sela, duke paralajmëruar se ASH do garojë e vetme në zgjedhje.
“ASh është parti autonome dhe në zgjedhje do të shkojë vet, pikë”, tha Sela.

Ende nuk dihet se si do të garojë Bashkii Demokratik për Integrim (BDI), si parti kryesore shqiptare në pushtet. Kjo parti pretendon të udhëheqë një “Front Evropian”, mirëpo nëse do të arrijë ta krijojë si front parazgjedhor në zgjedhjet e ardhshme ende është pikëpyetje. Zyrtari i lartë i BDI-së, njëheri Ministër i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka thënë se Fronti Evropian, përfshin të gjitha partitë politike, shqiptare apo maqedonase, të cilat e kanë si përcaktim kryesor integrimin e vendit në BE.

Por Bekteshi theksoi se garimi me lista të përbashkëta me ndonjë parti tjetër ende nuk është diskutuar brenda partisë.
Nëse nuk formohet një Front Evropian me lista të përbashkëta zgjedhore dhe duke pasur parasysh qëndrimet e partive tjera, përveç garimit me lista të vetat, si mundësi për bashkëpunim BDI-së i mbetet koalicioni eventual me Partinë Demokratike Evropiane të Arianit Hoxhës dhe Lëvizja Populli të Skender Rexhepi-Zejdit. Duhet theksuar se deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë për koalicionim të tillë të mudshëm, por deri në zgjedhje ende ka kohë, shkruan Zhurnal.

Një subjekt tjetër kemi edhe Lëvizjen Qytetare Evropiane të udhëhequr nga Gjyla Çeliku, mirëpo duke pasur parasysh qëndrimet e tyre anti-BDI, ky subjekt mund të shkojë vetë në zgjedhje, sepse Fronti Opozitar Shqiptar tashmë është strukturuar brenda bashkëpunimit mes Lëvizjes Besa, Alternativës dhe Lëvizjes Demokratike.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit