Ushtria izraelite ka deklaruar se 24 ushtarë të saj janë vrarë në Gaza gjatë të hënës. Mendohet se një raketë e gjuajtur nga luftëtarët e armatosur palestinezë goditi një tank që ruante trupat. Zëdhënësi kryesor i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari, tha se rezervistët u vranë në Gazën qëndrore rreth orës 16:00 të së hënës.
Ata ishin përfshirë në një operacion për të lejuar që banorët e Izraelit jugor të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre pasi dhjetëra mijëra u evakuuan pas sulmit të Hamasit më 7 Tetor. Kryeministri i vendit, Benjamin Netanyahu tha se pavarësisht vuajtjeve, vendi i tij do të vazhdojë me ofensivën e tij derisa të ketë fitore absolute.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të drejtuar nga Hamasi, 195 palestinezë janë vrarë gjatë ditës së djeshme.
Izraeli nisi luftën me qëllimin e deklaruar për të shkatërruar Hamasin pasi valët e sulmuesve të tij vranë 1,300 njerëz dhe morën peng rreth 250 të tjerë. Nga ana tjetër, të paktën 25,490 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që nga nisja e sulmeve hakmarrëse të Izraelit./Top24