Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka publikuar pamje të zhvillimeve të ditës së djeshme, në të cilat shihet grupi terrorist, i cili sulmoi Policinë e Kosovës, sulm në të cilin u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos një dhe u lëndua një tjetër.
Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit në afërsi të fshatit Banjskës të Zveçanit.
Pas sulmit, grupi terrorist ishte vendosur në ambientet e manastirit të Banjskës.
E pamjet që ka siguruar “Associated Press” tregojnë pjesëtarët e grupit duke ikur me automjet por edhe këmbë maleve përreth fshatit.
Pamjet mund t’i ndiqni KËTU.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.