Në Turqi do të mbahet një balotazh për zgjedhjet presidenciale pasi asnjëri nga kandidatët nuk siguroi shumicën e nevojshme në raundin e parë të zgjedhjeve të dielën. Por avantazhi politik duket se është në anën e presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, i cili ishte shumë afër sigurimit të shumicës së nevojshme për të shmangur balotazhin. Partia e zotit Erdogan pritet të sigurojë shumicën në parlamentin e Turqisë.
Pavarësisht se presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan nuk arriti të merrte shumicën e nevojshme për të shmangur balotazhin, votimi i së dielës ishte një arsye e mirë për shumë mbështetës të tij për të festuar.
Shumica e sondazheve të zhvilluara para ditës së zgjedhjeve e nxirrnin në epërsi rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu, i cili, bazuar në rezultatet paraprake, megjithë rritjen e inflacionit dhe krizën e kostos së lartë të jetesës, shoqëruar nga akuzat ndaj qeverisë për një reagim të pakënaqshëm ndaj tërmetit, mori katër për qind më pak vota se sa presidenti Erdogan.
Në distriktin Uskudar të Stambollit, dikur një bastion tradicional i presidentit Erdogan, pati një rritje të mbështetjes për opozitën. Kjo zonë ishte në qendër të fushatës së zotit Kilicdaroglu dhe koalicionit të tij të gjerë elektoral. Reagimet e votuesve janë të përziera.
“Ekziston një mentalitet për Erdoganin se ai është shpëtimtar i vendit. Kjo logjikë është gjithmonë e pranishme. Dua ta thyej pak këtë mentalitet. Duhet të hapim mendjen. Ndryshimi është i mirë. Por njerëzit besojnë se pa Erdoganin, nuk do të ketë rrugë, ura, dhe se qytetarët do të jenë të uritur”, thotë Merve, banore e disktriktit Uskudar në Stamboll.
Ismaili, një banor tjetër i kësaj zone, thotë se po përpiqet të kuptojë se si nuk fitoi kandidati i tij në zgjedhjet presidenciale.
“Nuk e prisnim, dhe sinqerisht, kishim shumë shpresë se do të kishte një ndryshim, por përsëri asgjë nuk ka ndryshuar. Pra, jemi të tronditur. Nuk dua ta besoj këtë rezultat”, thotë ai.
Miku i tij Cem thotë se ai nuk është i befasuar, por i shqetësuar për mundësinë e një raundi të dytë votimi në balotazhin presidencial.
“Thjeshtë peshku i madh gëlltiti përsëri peshkun e vogël. Balotazhi nuk na pëlqen, por njerëzit janë gati sepse nuk kanë rrugë tjetër”, thotë ai.
Të dielën u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, në të cilat koalicioni i zotit Erdogan pritet të sigurojë një shumicë absolute. Kjo, thonë analistët, i jep presidentit Erdogan një avantazh të madh në balotazhin e ardhshëm presidencial më 28 maj.
“Natyrisht kontrolli i presidencës dhe parlamentit është shumë i rëndësishëm. Pra, sigurisht, kjo do të ishte diçka e dëmshme për opozitën dhe pozitive për Erdoganin”, thotë Sezin Oney nga portali PolitikYol.
Zoti Kilicdaroglu përballet me një sfidë të madhe politike në fushatën e ardhshme, ndërsa avantazhi duket se po zhvendoset në anën e presidentit Erdogan.