Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u ka dërguar një mesazh urimi besimtarëve të besimit ortodoks me rastin e festës së madhe të krishterë të Epifani-Uji i Bekuar.
“Uji që jep jetë, që ushqen dhe kultivon, që rrit dhe zhvillon, le të rrjedhë lehtë dhe shpejtë. Le të jetë i kthjellët dhe i fuqishëm. Le të jetë forca që do na bashkojë si qytetarë, si fqinjë, miq dhe bashkëpunëtorë. Të bëhemi bashkë dhe të njëzëshëm, duke kontribuuar për qëllimin që e dëshirojmë dhe e meritojmë – Republika e Maqedonisë së Veriut, e përparuar, e suksesshme dhe anëtare e plotfuqishme e familjes evropiane të popujve. Le ti shpërndajë kjo festë retë e errëta dhe të pasigurta, le ti fisnikërojë mendimet dhe nxisë solidaritet, bashkëndjesi dhe sinqeritet në secilin prej nesh. Me urtësi, me pjekuri dhe përgjegjësi ti tejkalojmë sfidat që i sjell ardhmëria për të siguruar paqe, progres dhe mirëqenie për qytetarët dhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit.