Opozita shqiptare drejton gishtin nga BDI-ja për të cilën thonë se kanë mjaft arsye të dyshojnë se mund të shkaktojë trazira në zgjedhje, pasi të pësojnë humbje. Sipas tyre, bazë për të dyshuar është edhe raporti i ODIHR-së para zgjedhjeve i cili nuk ishte pozitiv për vendin.
“Duke u nisur nga fjala e urtë popullore se i mbyturi kapet për fije kashte, duke e marrë parasysh raportin e ODIHR-së që parashikon jostabilitet të mundshëm dhe zgjedhje të pasigurta, kemi të drejtë të dyshojmë se BDI-ja është e gatshme të shkaktojë krizë politike për të mos e pranuar humbjen e sigurt që vjen. Nuk duhet të anashkalojmë faktin që kandidati për president i BDI-së, deri dje ishte kryesues i OSBE-së dhe kishte ose duhet të kishte qasje dhe të ketë marrë pjesë në hartimin e këtij raporti”, tha Orhan Murtezani, VLEN.
Dy ditë më parë OSBE-ODIHR-ja publikoi një raport për situatën parazgjedhore në vend bashkë me kërkesën për vazhdim të zgjedhjeve. ODIHR-ja kërkon të dërgojë në vend 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshurtër për ditën e votimit, kurse doli me një raport të përgjithshëm se legjislatura zgjedhore ka nevojë për reforma thelbësore kurse retorika e polarizuar parazgjedhore len hapësirë të dyshohet për tensione të mundshme.
“Mbulimi mediatik i fushatës zgjedhore është i fragmentuar dhe i polarizuar, ka një rritje të dukshme të retorikës nacionaliste që mund të rezultojë në rritje të trazirave dhe tensioneve, ka pasur një rritje të dukshme të retorikës jotolerante dhe të dhunshme, e cila gjithashtu mund të interpretohet si gjuhë urrejtjeje, duke përfshirë edhe ndaj pakicave etnike”, thonë nga OSBE-ODIHR.
ODIHR-ja ka vëzhguar dhe vlerësuar të gjitha proceset zgjedhore në vend për më shumë se një dekadë. Ata, pas vizitës vlerësuese që kanë bërë në vend në muajin shkurt, kritikojnë faktin që partitë lëshuan mundësinë për një reformë thelbësore zgjedhore dhe deri pak kohë para zgjedhjeve, rekomandimet e tyre nuk ishin miratuar akoma dhe ishin shtyrë pa sqarime.