Friday, February 21, 2025
spot_img
BallinaLajmeVazhdon numërimi i votave në Kosovë, ky është rezultati i deritanishëm

Vazhdon numërimi i votave në Kosovë, ky është rezultati i deritanishëm

Me rreth 90 për qind të votave të procesuara në Kosovë, partia e kryeministrit Albin Kurti dhe koalicioni i tyre prinë dukshëm në raport me partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar të paktën 41 për qind të votave, duke mos i përfshi në këtë bilanc votat me kusht dhe ato të diasporës. Pas tyre radhitet PDK me 22 për qind, LDK me rreth 18 për qind dhe AAK e Ramush Haradinajt me gati 7.5 për qind. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas mbylljes së votimeve tha kjo fitore vulosë edhe një mandat qeverie për të.

“Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë, të mbarë, demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do të formojë Qeverinë e re pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë punët që i kemi nisur dhe shumë punë të tjera sipas programit”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Por opozita e lexoi ndryshe rezultatin. Sipas PDK-së, ky rezultat është historik dhe triumfues i cili sipas tyre e çon Kurtin në opozitë.

“Ky është një sukses i pamohueshëm për ne dhe një mesazh i fortë për të ardhmen e vendit tonë. Ajo që kemi parë në këtë proces është e qartë. Shumica e qytetarëve ja kanë kthyer shpinën kësaj Qeverie”, tha Blerant Stavileci, PDK.

Për LDK-në rezultati i 9 shkurtit është fjalë e popullit të cilën do ta respektojnë. Lumir Abdixhiku tha se me këto numra, populli nuk ka dashur që ai të jetë kryeministër dhe nuk do të futet në një kombinatorikë të tillë.

“Është një rezultat të cilin e respektojmë. Përgjegjësinë për të e marr unë përfshi edhe fushatën dhe drejtimin e partisë. Do t’i jap llogari LDK-së dhe qytetarëve që votuan për ne. Unë nuk dua patjetër të jem kryeministër. Nëse populli i Kosovës nuk më ka parë të tillë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme”, u shpreh Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kjo është fitore e opozitës dhe ky bllok duhet të formon Qeverinë e re.

“Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. Ju uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim që të bashkëpunojmë për të krijuar Qeverinë e opozitës në Kosovë”, theksoi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosje parashikohet t’i siguron 46 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 24, LDK 22 deputet dhe AAK-NISMA 8 deputet. 20 deputet janë të garantuar për pakicat. Gjatë numërimit elektronik të votave, Komisioni Qendror Zgjedhor doli me njoftimin se për shkak të problemave teknike dhe mbingarkesës së sistemit, votat do të numërohen në mënyrë manuale dhe më pas të dhënat do të vendosen në sistem hap pas hapi. Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind. Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote. 

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit