Në muajin e ardhshëm, në Uells do të zhvillohet stërvitja “Cambrian Patrol”, teksa ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në hapat e fundit të përgatitjes për këtë stërvitje.
Me pjesëmarrës nga e gjithë bota, kjo stërvitje është ngjarja kryesore patrulluese e Mbretërisë së Bashkuar dhe në lidhje me të ka shkruar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
“Ushtarët e FSK-së janë duke i dhënë hapat e fundit përgatitjes së tyre për stërvitjen Cambrian Patrol. Stërvitja rraskapitëse do të mbahet muajin e ardhshëm në Uells dhe është ngjarja kryesore patrulluese, me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Ushtarët britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Anglisë janë në Kosovë për të mbështetur këto përgatitje, duke ofruar njohuri mbi metodat e Ushtrisë Britanike dhe kushtet me të cilat ekipi do të përballet në Uells”, ka shkruar Ambasada në rrjetin social Facebook, përcjell albinfo.ch.
“Cambrian Patrol” organizohet nga Shtabi i Brigadës 160 dhe këtë vit do të zhvillohet nga data 6 deri më 15 tetor.