Thursday, April 24, 2025
spot_img
BallinaKurioziteteTrump rrit presionin mbi Zelenskyn: Prano marrëveshjen e paqes ose do e...

Trump rrit presionin mbi Zelenskyn: Prano marrëveshjen e paqes ose do e humbasësh Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump sot sulmoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetet sociale për ta detyruar atë të pranojë marrëveshjen e paqes të propozuar nga SHBA-të.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump pretendoi se marrëveshja është “shumë afër”, por kritikoi Zelenskyn dhe e thirri që “ta përfundojë punën”.

“Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u mburr në faqen e parë të Wall Street Journal me deklaratën: ‘Ukraina nuk do ta njohë juridikisht okupimin e Krimesë. Nuk ka për çfarë të flitet këtu.’ Kjo deklaratë dëmton seriozisht negociatat për paqe me Rusinë, pasi Krimea u humb shumë vite më parë, gjatë presidencës së Barack Hussein Obamës, dhe sot nuk është më as objekt diskutimi,” shkroi Trump.

“Nuk po i kërkon njeri Zelenskyt ta njohë Krimenë si territor rus, por nëse e donte prapa – pse nuk e mbrojti para njëmbëdhjetë vitesh, kur iu dorëzua Rusisë pa asnjë të shtënë?”

Trump shtoi: “Ka pasur baza të mëdha ruse në atë zonë për dekada përpara ‘dorëzimit të Obamës’. Deklarata të tilla zjarrvënëse, si ajo e sotmja e Zelenskyt, janë arsyeja pse është kaq e vështirë të arrihet paqja. Ai nuk ka me çfarë të krenohet! Situata për Ukrainën është shumë e vështirë, mund të zgjedhë paqen ose ta vazhdojë luftën edhe tre vite përpara se ta humbasë të gjithë vendin.”

Trump theksoi se nuk ka lidhje me Rusinë, por është thellësisht i shqetësuar për humbjen e jetëve çdo javë. “Deklarata e sotme e Zelenskyt vetëm do ta zgjasë vrasjen, dhe askush nuk e dëshiron këtë.”

Ai përfundoi: “Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që ‘nuk ka më letra në dorë’ duhet ta kuptojë këtë dhe ta përfundojë punën. Pres me padurim t’u ndihmoj edhe Ukrainës edhe Rusisë që të dalin nga ky KAOS – që kurrë nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president.”

Sipas planit të paqes të propozuar nga Trump dhe i publikuar nga mediat amerikane, SHBA-të do të njohin zyrtarisht sovranitetin rus mbi Krimenë e aneksuar. Zelensky e hodhi poshtë menjëherë këtë propozim, duke deklaruar qartë se Ukraina “nuk do ta njohë juridikisht okupimin e Krimesë”. “Nuk ka për çfarë të flasim. Është në kundërshtim me kushtetutën tonë,” shtoi ai.

E gjithë kjo ndodh ndërsa Trump po rrit presionin si mbi Moskën ashtu edhe mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje paqeje, ndërsa administrata e tij sinjalizoi se SHBA mund të tërhiqen krejtësisht nga ndërmjetësimi nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje. Ky qëndrim u përforcua edhe nga senatori J.D. Vance, i cili tha se propozimi amerikan është “i qartë dhe i drejtpërdrejtë”. “Është koha që ata të thonë ‘po’, ose SHBA duhet të largohet nga ky proces,” tha Vance.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit