Selektori i ri i Kosovës, Franco Foda doli sot në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme me Armeninë.
Trajneri gjerman thotë se është munduar ta përgatiste sa më mirë të ishte e mundur ekipin Dardan, për të qenë gati për sfidën e parë miqësore të vitit 2024.
Gjithashtu, Foda tregoi se në cilat aspekte ka punuar me ekipin në këto tri ditë dhe nuk e fshehu dëshirën që ekipi Verdhekaltër t’i fitojë të gjitha ndeshjet që e presin, shkruan “Gazeta Express”.
“Kishim seanca mjaft të mira stërvitore sa ishim në Prishtinë, jemi përgatitur mjaft mirë edhe pse nuk ishte një kohë e gjatë. Krejt lojtarët janë mirë fizikisht, përpos probleme muskulore të Rrahmanit dhe të Rashicës. Por, ata do të jenë në stërvitje sot dhe besoj edhe në ndeshjen e nesërme.”
“Të dy skuadrat kanë lojtarë mjaft të mirë, sidomos në aspektin teknik, dhe në repartin defanziv.”
“Në tri ditët e fundit u fokusuam tek aspekti taktik, kemi punuar në aspektin se si duhet të jemi të organizuar në fushë dhe pjesa e agresivitetit. Që të luajmë me shpejtësi dhe me agresivitet, si në aspektin defanziv ashtu edhe në atë ofanziv.”
“Nuk e di, nuk mund të them se kush është favorit. Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje, ne do të mundohemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet.”