Ministrit të Brendshëm teknik nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Pançe Toshkovski, nuk ju miratuan të gjithë emrat e propozuar për kryeshefa dhe drejtues të sektorëve të MPB-së, edhe pse një të drejtë të tillë e gëzon me ligj. Ministri shprehet i shqetësuar për këtë vendim të qeverisë.
“Veçanërisht jam i shqetësuar për ligjshmërinë e vendimit të qeverisë për të cilën nuk mora asnjë elaborim, se pse nuk mi ka miratuar të gjithë 15 pozitat drejtuese që kam të drejtë t’i vendos me ligj. Do t’ia lë opinionit të supozojë se pozita e cilit kryeshefi nuk më lejohet”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.
Për momentin, është e paqartë se për pozitën e cilit kryeshefi qeveria nuk ka dhënë miratim dhe cila është arsyeja që qëndron pas refuzimit.
E ndërkohë, Toshkovski në intervistë për Alsat, i pyetur nëse ka kërkuar bashkëpunim me opozitën shqiptare për emërimin e kryeshefave të rinj të policisë, nuk ishte i prerë. Ai tha se është konsultuar me të gjithë fakorët e rëndësishëm për kuadro professional.
“Sa u takon kuadrove që janë vendosur janë bërë analiza të detajuara dhe biseda me të gjithë faktorët e brendshëm por edhe të jashtëm të cilët do të kontriuonin në procesin e vendosjes së kuadrove të cilët para së gjithash janë profesionistë, e dyta, kanë kaluar trajnime dhe vite stazh, kështu që të gjithë ata që do të mund të ndihmonin në procesin e zgjedhjes së kuadrove janë konsultuar dhe kemi marrë vendim sa i takon kuadrove profesionale që do të vendosen nga ana ime”, u shpreh Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm./Alsat.mk