Shkupi sot shënon tetë vjet nga stuhia që shkaktoi përmbytjet ku humbën jetën 22 persona. Pasditen e 6 gushtit 2016 rajoni i Shkupit, gjegjësisht Hasanbegu dhe fshatrat përreth u goditën nga reshje të dendura shiu dhe erëra të forta.
Viktimat e kësaj fatkeqësie ishin kryesisht nga fshatrat e kësaj zone.
Stuhia dhe uji i rrëmbyeshëm shkaktuan rënien e pemëve dhe shtëpitë mbetën pa energji elektrike. Rreth një mijë qytetarë janë evakuuar gjatë natës së 6 gushtit.
Qytetarë nga i gjithë vendi, të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i Krizave dhe institucionet kompetente, janë bashkuar në ditët në vijim për të mbledhur ndihmat më të nevojshme për viktimat. 8 gushti i vitit 2016 është shpallur ditë zie në Republikën e Maqedonisë së Veriut. (INA)