Në kongresin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët që u organizuar nga kreu i partisë Arben Taravari, u anulua posti i kryetarit të Kuvendit të këtij subjekti, post që mbante ish-kryetari Ziadin Sela. Poashtu u anuluan vendimet e Kuvendit të Partisë të mbajtur më 10 shkurt 2024, kur Sela inicoi shkarkimin e kreut partiak. Nga Kongresi që u mbajt mbrëmë, Taravari mori mbështetjen për kandidaturën e tij për president të shtetit, ndërsa u mbështet edhe nisma e tij për koalicionim me Lidhjen Evropiane për Ndryshim, të përbërë nga partitë e bllokut politik shqiptar. Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, tha se nga gjithsej 739 delegatë në nivel republike, në kongres kanë marrë pjesë 421 delegatë.
“Prej gjithsej 739 delegatëve në nivel republikan 421 delegatë ishin prezent. Si pika kryesore në rendin e ditës ishte miratimi i kandidaturës për president të kryetarit të partisë, z. Arben Taravarit, shfuqizimi i vendimeve të mbledhjes së dytë të kuvendit të partisë të mbajtur në Shkup më 10 shkurt 2024 dhe plotësim-ndryshime statutare. Vlen të theksohet se të tre pikat në rendin e ditës kaluan me votime unanime prej 421 vota “pro” përveç pikës së parë e cila kishte një votë të abstenuar”, deklaroi Blerand Ramadani, zëdhëënës i ASH-së.
Para fillimit të Kongresit, Taravari tha se në garën për president të shtetit, kundërkandidat dëshiron ta ketë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.
“Z.Ahmeti do kisha dashur ta kem realisht kundërkandidat. Do të ishte interesant”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Në kongresin e jashtëzakonshëm të mbajtur mbrëmë, mbështetësit e Taravarit miratuan një rezolutë për ndryshimin e statutit për të shmangur mosfunksionimin në vendimmarrjen partiake. Por, ky kongres nga krahu i Ziadin Selë dje u vlerësua si jolegjitim. Ata Kongresin e tyre do ta mbajnë nesër në ora 13:00 në Shkup.
Përçarjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas vendimit të Taravarit që të bashkohet me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Krahu i Ziadin Selës e kundërshtoi vendimin e tij duke kërkuar që në zgjedhjet e 8 majit ASH-ja të shkojë e vetme, por ky vendim sipas Taravarit i ndihmon BDI-së.