Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur të hënën takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Në takim me kreun e LDK-së, presidentja Osmani e ka njoftuar Abdixhiku për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Më tej, presidentja Osmani me Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit. Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidenca njofton se ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare.
“Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale. Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend, me shoqërinë civile dhe me mediat”.
Shtatë konkluzionet e LDK-së për draft-statutin e Asociacionit
Ndërkaq, Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të parë, diskutoi për planin e punës, planin organizativ të partisë, si dhe për çështjet politike kryesore të vendit.
Përmes një komunikate për media, LDK njofton se në lidhje me procesin e dialogut, “Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues”.
Sipas LDK-së, ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së dhe “krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.
“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument”, thuhet në njoftim.
“LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”, vijon njoftimi i LDK-së.
LDK-ja po ashtu thotë se beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë.
“LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, përfundon njoftimi i LDK-së.
Haradinaj akuzon LDK-në: Është në mbështetje të mashtrimeve të Kurtit dhe Osmanit
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, të mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.