Parlamenti Evropian miratoi sot rezolutën e posaçme për aktin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Rezoluta u miratua gjatë seancës plenare të PE-së. Në rezolutë sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia, nëse ka lidhje.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në Komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej sulmuesve u vranë.
Policia i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.