Më 8 shtator është njoftuar për shtyrjen e afatit për lirimin e një objekti komunal në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.
Shtyrja është bërë deri në pranimin e një raporti të Inspektoratit Komunal.
Vendimin për këtë shtyrje e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Erden Atiq.
Sipas autoriteteve komunale, këtë objekt janë duke e shfrytëzuar në mënyrë të jashtëligjshme katër institucione të Serbisë, pasi objekti i përket komunës.
Maraj: Vendimi i Kryetarit, i drejtë
Analisti Milazim Maraj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se vendimi i kryetarit Erden Atiq është i drejt dhe ligjor.
Por, sipas tij me këto shtyrje Serbia do të hartojë më shumë pengesa për shtetin tonë.
“Nuk mund të ketë institucione serbe në Kosovë. Vendimi i kryetarit Erden Atiq është i drejt dhe ligjor. Sikur që ishte i drejt dhe ligjor zgjedhja e kryetarëve në këto komuna. Shtyrja e zbatimit të tij nuk është e drejt, por është e nevojshme nëse aleatët tonë SHBA dhe shtetet tjera demokratike kanë kërkuar një koordinim dhe bashkëpunim në këtë kohë.
Nuk është e lehtë për Kosovën që të shtyhet zbatimi ligjor i vendimeve, nuk është e lehtë që të përfillët qoftë edhe përkohësisht përzierja e Serbisë në funksionimin e institucioneve të Kosovës. Shumë vendime u pezulluan apo u shtyn për më vonë. Sa më shumë vendime të shtyhen aq më shumë pengesa për shtetin tonë do të hartojë Serbia. Oreksi rritet duke ngrënë. Serbia në vend të ndëshkimit po përkëdhelet. Serbia nuk respektoj asnjë marrëveshje të nënshkruar as ato që i pranoj pa nënshkruar. Ajo prodhon kriza në veri të Kosovës dhe këtë e bënë para syve të botës demokratike dhe ato kërkojnë që Kosova të pres një moment tjetër”, thotë ai.
Sipas tij, SHBA garanton sovranitetin tonë.
Në anën tjetër, është Rusia ajo e cila po pretendon që të hap front në Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnje.
“ShBA garanton sovranitetin tonë. SHBA-ve kemi arsye të u besojmë kjo është fondamentale për Kosovën. Janë shty dhe provuar shumë forma të bashkëpunimit me Serbinë, me propozime të BE dhe SHBA që nga paketa e Ahtisarit që ishte kompromis mjaft i dhimbshëm. Janë bërë shumë kompromise të dhimbshme dhe të rënda për ne. Kjo pritje që tanin kërkohet nga Kosova më ngjason në atë pritjen para lufte, pritem që nga viti 1990, me gojën plotë gjak e barut, jo që donim por që nuk kishim tjetër rrugëdalje. Pritëm dhe shtymë rezistencën e armatosur nga viti 1993, pamë të zitë e ullirit deri në vitin 1998. Por filluam dhe fituam përkrahjen e SHBA dhe NATO-s, çliruam Kosovën.
Më shumë dhembje dhe shumë humbje që nuk riparohen në këtë shekull. Shpëtuam masën biologjike shqiptare që Serbia dhe Rusia pretendonin ta zhduknin. Tani situata është shumë komplekse, lufta në Ukrainë po vazhdon dhe ende nuk shihet fundi i saj. Rusia pretendon që të hap front në Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnje. Për të mbajtur një situatë të ndezur ka investuar 8.5 miliard dollar. Në Serbi dhe Kosovë përveç Kishave serbe që janë qendra të rrezikshme të spiunazhit rus ka edhe një qendër në Nish, që quhet qendra emergjente, por mund të jetë edhe ndonjë xhami nga këto që u ndërtuan kaq shpejt”, shprehet tutje ai.
Më tej thotë se, me gjithë këto angazhime nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, thotë se do të vijë ose ndërrimi i kufijve apo bota ruse.
Ai deklaron se bota shqiptare duhet të mblidhet, me mirëkuptim dhe pa përplasje me aleatët tonë të natyrshëm do të arrijmë ta përfundojmë epokën e krizave serbe kundër shqiptarëve.
“Kërkesa e Serbisë dhe përfaqësuesve të BE për udhëheqjen e dialogut Kosovë – Serbi kërkojnë që të largohen njësitë speciale nga veriu. Kjo nuk është e çuditshme. Z. Borrell dhe Lajçak vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ata vazhdimisht kanë udhëhequr politiken e shteteve të tyre dhe jo të BE. Ata me largimin e policisë së Kosovës nga veriu mundësojnë mbushjen e veriut me armatim, duan krijimin e një realiteti të ri për Kosovën për të cilin duhet të bisedohet atëherë. Do të vije ndërrimi i kufijve apo bota ruse. Në politikë nuk ka pikë. Gjithmonë pas pike ka një (por) që e degradon vlerën e pikës. Këtu duhet të kemi kujdes dhe të angazhohen të gjithë, pa sharje e fyerje, por me analiza të thella dhe vizione të domosdoshëm për veprime të tjera drejt ndërtimit të demokracisë në veri të Kosovës.
Andaj të mblidhet potenciali intelektual shqiptarë. Me unitet kombëtare, mirëkuptim dhe pa përplasje me aleatët tonë të natyrshëm do të arrijmë ta përfundojmë epokën e krizave serbe kundër shqiptarëve. Kriminelet serb që kryen krime në Kosovë tani janë sistemuar në “Brigadën e Veriut” bashkë me forca mercenare ruse dhe instruktor diversant nga Serbia dhe Rusia. Armët serbe që deri tani janë zënë nga policia e Kosovës janë kryesisht armë për njësitë diversantë. Forcat e KFOR -it kanë qenë aty kur kanë hyrë këto armë. Nuk i kanë zënë, prandaj policia e Kosovës është e nevojshme të jetë me terë kapacitetin e vet në terë territorin e Kosovës. Shqiptarët kanë besim në SHBA-në dhe në NATO-n. Shtyrja e zbatimit të vendimeve të drejta dhe të ligjshme, por me kërkesën e SHBA dhe shteteve të Evropës që janë aleatet tonë duhet të ndodhë.
Serbia do të nxit tensione dhe Kosova do të akuzohet për tensionim të gjendjes. Por, nëse ndodhin zgjedhjet dhe në vend të Atiqit vije një serb nga Lista serbe kush do të i largoj institucionet ilegale të Serbisë nga Kosova? Shtyrja nuk nënkupton heqjen dorë nga projekti i ndërtimit të demokracisë në Kosovë e ne veçanti në fshatrat të ku banojnë serb e nëpërkëmbur nga despotizmi serb dhe rus. Kjo duhet të përshkruhet në detyrat e çdo kryetari kush do qoftë ai. Tani a do të realizohet kjo nga serbet që po nëpërkëmbën tash e 24 vite nga Serbia apo jo? Vuçiq me strukturën e tij kriminale për pushtet nuk i kursen serbet në Kosovë, sikur që Putin për botën ruse që nuk i kursen serbet në Serbi. Kosova të bashkëpunoj ngushtë me SHBA dhe shtetet e Quintit, kjo rrugë nuk do të jetë shumë e shkurtër dhe as e lehtë por e domosdoshme në këtë gjendje komplekse gjeostrategjike dhe gjeopolitike pa hequr dorë nga e drejta e tona. Kosova të vazhdoj me ndjekjen dhe burgosjen e kriminelëve të luftës dhe pas luftës. Të luftoj krimin e organizuar dhe korrupsionin në terë territorin e saj. Burgosja e kriminelëve serb të luftës që shëtitën lirshëm nëpër Kosovë me misione të caktuara nga Serbia dhe Rusia është e domosdoshme”, përfundon ai për “Bota sot”.
Mulliqi: Qëllimi final i Vuqiqit, Putinit, me strukturat paralele dhe Listën Serbe, është që të arrihet synimi i implementimit të Asociacionit
Analisti Skënder Mulliqi ka thënë se strukturat paralele dhe Listën Serbe po e mbajnë pezull situatën me tendencë të eskalimit në veri.
“Strukturat paralele së bashku më Listën Serbe si subjekti më i madh politik serb, po e mbajnë pezull situatën me tendencë të eskalimit në veri, sidomos nga fundi i muajit maj, kur edhe i rritën tensionet më direktivat e Beogradit zyrtar. Këto struktura dhe Lista kishin bërë apel për bojkotimin të zgjedhjeve te 23 prillit, të cilat edhe kishin bllokuar ndërtesat që mos të dërgohen në zyrat e tyre kryetarët e zgjedhur më votën e lirë, të pranuara këto zgjedhje si legjitime edhe nga BE-ja, e cila më vonë sikur i ra pishman kësaj pune, duke i fajësuar organet e Kosovës për eskalim me dhunë të situatës në veri. Dihet se kjo strukturë evropiane mori masa të padrejta ndëshkuese ekonomike ndaj Kosovës. Para çdo takimi të nivelit më të lartë të bisedimeve edhe këtij të fundit që pritet të mbahet në Bruksel më 14 shtator, serbet në veri janë rebeluar për të ndikuar në bisedime”, nënvizon ai.
Sipas tij, Putini dhe Vuçiqi e kanë një plan, të arrihet implementimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Qëllimi final i Vuçiqit, Putinit, me strukturat paralele dhe Listën Serbe, është që të arrihet synimi i implementimit të Asociacionit, jo më pak se me kompetenca ekzekutive, që Kurti zor që e pranon një variant të tillë, i cili do të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. BE-ja kërkojë uljen e tensioneve një-anshëm duke i bërë presion Kosovës, për pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative, por që shumë pak apo fare kjo strukturë nuk i bëri presion Serbisë si fajtorja kryesore për eskalim të situatës me protesta të dhunshme të bandave serbe. Kosova dihet së është dakorduar me BE-në për largimin e pranisë të forcave policore në ndërtesat komunale dhe është dakorduar edhe për mbajtën e zgjedhjeve të lira, të cilat zgjedhje po kërkohen të bojkotohen serish nga Lista Serbe dhe Vuçiqi”, deklaron Mulliqi.
Në fund thotë se, është shumë e paarsyeshme se si po tolerohen politike shoviniste të Serbisë në rajon.
Kjo është hera e dytë që nga 25 gushti, që kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se ka shtyrë sërish zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave paralele serbe. Këtij deklarimi iu ka bashkangjitur Lista Serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiq, të cilët po kërkojnë që kjo të temë të jetë pjesë e dialogut më datën 14 shtator në Bruksel. BE-ja më shumë po është deklarative se sa po i bën presion Serbisë, edhe kur bëhet fjalë për largimin e Atiqit nga zyra, për t’u lëshuar vend zgjedhjeve lokale të paralajmëruara. Është shumë e pa arsyeshme se sa gjatë po tolerohen politikat shovenste të Serbisë në rajon, dhe veçmas kur bëhet fjalë për Kosovën.
Si kusht që të zhvillohet takimi i Brukselit pala jonë ishte dashur të kërkon heqjen e masave ekonomike dhe politike nga BE-ja, si dhe të kërkojë që t’i bëhet presion palës serbe në bisedime, e cila nuk po i zbaton marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit të planit franko-gjerman. Faktori ndërkombëtar rregullisht edhe së fundi i ka bërë presion regjimit të Prishtinës për de-përshkallëzim të situatës, e po e harrojnë Serbinë, e cila së bashku më Rusinë po këmbëngulin për ndryshim të kufijve në rajon, duke ndarë edhe veriun e Kosovës nga jugu, që është di diçka shumë e pa pranueshme për shqiptarët. BE-ja dhe Amerika duhet t’i ndalojnë Vuçiqin dhe Putinin, të cilët me çdo kusht po tentojnë ta zhvendosin nga Ukraina luftën në Ballkan. Situata në veri mund të qetësohet vetëm nëse i bëhet presion Beogradit zyrtar, e nëse shkohet me praktika të vjetra nga ana e BE-së , situata mund të eskalon edhe më keq, kurse bisedimet mund do të futeshin në qorrsokak”, përfundon ai.