Klodjan Agalliu është 43 vjeç, shqiptar, dhe prej disa kohësh jeton në Vieste, në Gargano.
Në fakt, ai ka dyshtetësi dhe prodhon vaj, ka fermën e tij të ngritur me shumë përpjekje.
Quhet kompania ‘Olio della Valle’, kompani ku ka edhe të punësuar.
Por historia e Klodjanit nis kohë më parë. Një histori shpengimi që kalon përmes vetmisë, urisë, dëshpërimit, punës së palodhur dhe rilindjes. Në një hap kohor prej 25 vjetësh.
Ishte viti 1999 kur në prill mbërriti në Itali Klodjani (tashmë i italianizuar si Claudio), vetëm 18 vjeç. Në moshën 14-vjeçare ai ishte larguar tashmë nga Durrësi për të kërkuar punë në Greqi, më pas një mik i sugjeroi Italinë dhe ai pranoi menjëherë “sepse ishte i dashuruar” me gadishullin.
Për udhëtimin pagova kontrabandistët 800 mijë lireta’, na tregon Klaudio,- ‘ardhja në Leçe, më pas në Brindisi dhe në fund në Foggia ku unë dhe shoku im qëndruam pranë një fshati, Arpinovës, në një “barake”. Aty qëndruam gjashtë muaj, duke bërë një mijë punë, sidomos në fshatrat e zonës. Më pas shoku im largohet nga Pulia dhe shkon në Siçili dhe unë shkoj në Mattinata dhe atje jeta ime merr një rrugë tjetër.
Unë punësohem në fermën e sipërmarrësit Vincenzo Piemontese, pronar i tokës së mbjellë me ullinj midis Mattinata, Vieste, Manfredonia dhe zonave përreth. I detyrohem gjithçka atij! Mësoj zanatin dhe ndërkohë njoh vende të tjera të bukura në Gargano, duke u dashuruar me një zonë të caktuar. Tokë në fshatin Vieste! Pas 15 vjetësh punë në Mattinata, në vitin 2016 vendosa të blej tokën dhe të hap biznesin tim”.
Në fillim shiste vetëm vaj me shumicë. “Por më paguajnë pak dhe shpenzimet janë të mëdha, ndaj fillova të punoj për të tretë, derisa vendos ta prodhoj dhe ta mbush vajin vetë.”
Quhet “Olio della Valle” dhe kurioziteti qëndron tek emri: “Rashë në dashuri me tokën në Vieste të cilën e bleva me pas, sepse shtrihet në një luginë të madhe. Këtu mund të thithësh ajër të pastër. Vaji im mori pjesë edhe në Javën e Vajit, ngjarje e rëndësishme që zhvillohet në Vieste. Më duhet të falënderoj këshilltarin e Viestes për Bujqësi, Dario Carlino, i cili më pyeti nëse doja të merrja pjesë. Do ta bëj edhe këtë vit dhe do të marr pjesë edhe në gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Claudio e gjeti dimensionin e tij në zonën e Foggia, në Vieste. Ai është shtetas shqiptaro-italian. Ai është i martuar me një vajzë shqiptare që ka njohur vite më parë dhe ka dy fëmijë 16 dhe 6 vjeç.
“Kam punuar shumë, kam mësuar shumë dhe rrugëtimi im është ende në vazhdim”, përfundon Klodjan.