Në datat 26-28 gusht 2024, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.
Në këtë event përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, do të jenë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj. Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të Shqipërisë në botë.
Konferenca treditore do të nisë sot në ora 9.30, ku do të marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Ceremonia e hapjes dhe paneli “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, me pjesëmarrjen e Ministrit Hasani dhe Znj. Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë, do të jetë e hapur për median.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.
“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë 🇦🇱 mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar një ditë më parë ministri Igli Hasani. /TCH