Sunday, November 24, 2024
spot_img
BallinaKronika e zezëShoku i Triumf Rizës që shkoi në SHBA menjëherë pas vrasjes: Enver...

Shoku i Triumf Rizës që shkoi në SHBA menjëherë pas vrasjes: Enver Sekiraqa dha urdhrin për vrasje, s’di kush është dorasi

Në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dje është dëgjuar dëshmitari Arben Selmani i siguruar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me autoritet e SHBA-së.

I njëjti dëshminë e tij e ka dhënë përmes video-linkut i cili ishte nën praninë e avokatit të tij James Tanbean dhe përfaqësueses së prokurorisë së SHBA-së Remy Grosbard, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nuk e di kush osht dorasi, dorasi është lajmëru vet, por e di kush e ka dhanë urdhërin ose kush e ka orkestru këtë punë, osht Enveri, jo që e njoh por kështu më është thanë prej intelegjencës”, ka thënë dëshmitari Selmani.

Selmani fillimisht duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini, ka sqaruar se ai nga viti 2000 ka qenë polic në Policinë e Kosovës dhe instruktor i njësisë speciale, duke punuar në mbrojtjen e afërt të Kosovës.

Ai tha me se të ndjerin Trium Riza kishte qenë bashkë që nga shkolla fillore, gjimnazi, sporti e më pas edhe koleg në punë si polic.

“Kemi pas një shoqni shumë të mirë dhe të mirëfillt, dhe kemi kalu kohë të mirë bashkë si shokë por edhe si kolegë”, ka thënë Selmani.

Ai tha se lidhur me këtë çështje kishte dhënë edhe një dëshmi më 19 maj 2008 në po të njëjtin vend ku gjendet edhe tani, duke pyetur prokurorin Çerkini nëse ai posedon dëshminë e tij.

“Është shumë me rëndësi që ta pys prokurorin se a e ka dëshminë time përpara pasi që kam dëgju që ajo dëshmi është zhduk”, tha Selmani.

Dëshmitari Selmani, tutje ka sqaruar se i ndjeri Riza meqë kishte qenë një ndër policët më të mirë në Kosovë, kishte pasur shumë grupe që kanë tentuar të dominojnë krimin në atë kohë dhe bënin presion në të, siç është grupi i Sekiraqëve.

Ai tha se bashkë më të ndjerin Riza kanë pasur raste të përcjelljes, afër banesës, veturës apo lokaleve që i kanë frekuentuar.

“Pastaj ka pas shfrymje të gomave të veturës të Triumfit, jo njëherë por më shumë, pastaj në një rast tjetër ka pas edhe shpim të gomave, pastaj Triumfi ka fillu një lidhje romance me Adelinën në atë kohë dhe pas një kohë shumë të shkurtë i është djegur vetura që ishte një mesazh…”, tha Selmani.

Sipas tij, kulmi i gjithë kësaj ka qenë kur shefi i operativës së zyrës së operativës së shtabit i kishte ftuar në një mbledhje atë dhe të ndjerin Triumf për t’i njoftuar që Enver Sekiraqa ëshë zënë nga intelgjenca dhe gjatë përgjimit të telefonit të tij është zënë duke thënë se “Arbenin dhe Triumfin do t’i vras dhe do të largohem nga shteti për një kohë të caktuar”.

I njëjti ka përmendur edhe rastin e ndodhur në “Swis Cazino” ku tha se kishte mbetur i plagosur.

Ai tha se grupi i Enver Sekiraqës kishte qenë brenda dhe jashtë lokalit nga të cilët tha se janë sulmuar pa ndonjë pretendim.

“Por me ditë që Triumfi ka pas probelem me Enever Sekiraqën nuk është kumedit sa e thane me qenë shok i ngusht me to sepse edhe fmit e asaj lagje e kanë ditë që është problemi mes tyre, që Enveri ka problem me to dhe jo anasllejtas”, tha Selmani.

Pas kësaj, mbrojtësja e të akuzuarit Kosovare Kelmendi ka thënë se është e dukshme që dëshmitari po lexon gjatë dhënies së dëshmisë së tij.

Dëshmitari Selmani ka pohuar se ai po lexon deklaratën e dhënë më parë dhe ato që ka thënë më herët.

Lidhur me këtë, avokatja Kelmendi ka propozuar që procesverbali deri në momentin kur dëshmitari ka lexuar të veçohet nga shkresat e lëndës, duke kërkuar që ndaj të njëjtit të parashtrohen pyetje nga fillimi.

“Ajo deklaratë asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shkresave të kësaj lëndë dhe të asnjë lëndë tjetër dhe për të cilën sikurse gjykata ashtu edhe prokuroria e mbrojtja nuk jemi në dijeni se në çfarë rrethanash i njëjti e ka dhënë këtë deklaratë e poashtu konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale dëshmitari duhet të deklaroj atë për të cilën ka njohuri për atë që ka pa ose dëgjuar”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ajo tha se të njëjtit i lejohet të shërbehet me diagrame, me prova, me dokumentacion të nevojshëm por kursesi të lexojë një deklaratë, aq më teper një deklaratë të cilën nuk e kanë pjesë të shkresvae të lëndës.

Lidhur me këtë, prokurori special Çerkini ka kundërshtuar këtë propozim me arsyetimin se rregullat e procedurës penale janë shumë të qartë dhe nuk ka asnjë arsye ligjore që dëshmia e dhënë deri me tani të veçohet nga procesverbali, kurse u refuzua nga trupi gjykues.

Më pas, dëshmitari Selmani ka vazhduar dëshminë e tij pa u referuar në dokumentacione.

Ai sërish ka sqaruar rastin e ndodhur në “Swis Cazino” ku tha se në hyrje të lokalit personi i parë që kishte identifikuar kishte qenë Enver Sekiraqa pasi që i njëjti kishte sulmuar të ndjerin Riza me krahë.

“Ne kemi qenë duke hy në lokal, Enveri ka qenë duke dal, pse e kam identifiku ka qenë se e ka sulmu me krahë Triumfin dhe po në të njëjtën kohë ka fillu sulmi prej disa anëve”, tha dëshmitari Selmani.

Ai tha se aty kishte ndodhur një sulm fizik pa fjalosje, një atak pa paralajmërim dhe tinëzar.

Tutje, dëshmitari Selmani ka sqaruar se ai kishte qenë për pushim në Kroaci kur kishte kuptuar për vdekjen e të ndjerit Riza me ç’rast ishte kthyer dhe kishte qëndruar tri ditë, kurse ditën e katërt tha se është nisur për në Amerikë.

Ai tha se njëra nga arsyet e shpërnguljes së tij në Amerikë ka qenë frika se mund t’i ndodh e njëjta dhe për shkak të kërcënimeve që i kishte marrë kohëve të fundit.
Kurse, i pyetur se a ka pasur njohuri që tani i ndjeri ka pasur çfarëdo problemi me dorasin, ai tha se ka dyshimet e tij nëse atë e ka njohur si fytyrë, duke u bazuar në atë që nuk ka dëgjuar apo nuk e ka parë të njëjtin më herët.

Ndryshe, në këtë rast të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023. Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.

Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit